×
  • Lajme
  • Botë

    Dronët rusë godasin qytetet e mëdha në Ukrainë

    Reporteri
    01 Maj 2025 | 15:22

    Ushtria ruse sulmoi disa rajone të Ukrainës me dronë, raportuan autoritetet lokale, duke thënë se të paktën dy persona u vranë në Odesë.

    Alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në 11 rajone të Ukrainës gjatë bombardimeve në orët e vona të 30 prillit dhe në orët e hershme të 1 majit.

    Sulmi “në shkallë të madhe” ndaj qytetit port të Odesës, buzë Detit të Zi, siç u përshkrua nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës në një postim në Telegram, vrau dy persona dhe plagosi 15 të tjerë.

    Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, tha në Telegram se sulmi rus ndaj Odesës dëmtoi ndërtesa të larta, shtëpi, një dyqan dhe një shkollë.

    “Në disa vende shpërthyen zjarre, të cilat shpëtimtarët tanë po i shuajnë”, shtoi ai.

    Kiper kishte paralajmëruar më herët për rrezikun e sulmeve nga dronët, duke iu thënë banorëve të Odesës dhe të rajonit që të gjenin strehim.

    “Shërbimet e emergjencës dhe ato komunale po punojnë në terren për të eliminuar pasojat e sulmeve, dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore për viktimat”, tha prefekti i Odesës, Hennadiy Trukhanov, në Telegram.

    Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit të Ukrainës, reagoi pas sulmit të Rusisë ndaj Odesës, duke bërë thirrje për një “armëpushim të plotë”, në një postim në Telegram.

    “Ne duhet të angazhohemi për këtë së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe me Evropën”, shkroi ai, duke shtuar se “[presidenti rus, Vladimir] Putin gjithmonë do ta ketë dëshirën për vrarë”.

    “Por, diplomacia, forca dhe trysnia ekonomike do ta bindin Rusinë t’i japë fund luftës”, tha Yermak.

    Shpërthime u dëgjuan edhe në qytetin verilindor Sumi, ndërsa alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në disa vende, përfshirë Sumin, Kievin, Harkivin, Çernhivin, Donjeckun, Dnipropetrovskun dhe Zaporizhjën.

    Prefekti i Harkivit, Ihor Terekohova, njoftoi se një dron kishte goditur në kufirin ndërmjet dy zonave në qytet, duke shkaktuar zjarr dhe duke plagosur një numër të panjohur njerëzish.

    Terekhova raportoi më vonë se droni kishte goditur një pompë benzine në distriktin e Kievit.

    Edhe vetë qyteti lindor i Harkivit u sulmua, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, duke cituar informatat e para. Ai shtoi se një zjarr kishte shpërthyer si rezultat i sulmit.

    Sulmet ruse u kryen teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për mineralet, të cilën administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e quajti një partneritet ekonomik që njeh “mbështetjen e rëndësishme financiare dhe materiale që populli i Shteteve të Bashkuara ka mundësuar për mbrojtjen e Ukrainës që nga pushtimi në shkallë të gjerë nga Rusia”.

    Pas hezitimit fillestar, Ukraina pranoi marrëveshjen si mënyrë për të siguruar investimin afatgjatë nga Uashingtoni, mes hapave nga Trump dhe administrata e tij për të kufizuar angazhimet amerikane në fushën e sigurisë nëpër botë.

    Ndërkohë, një grup prej 72 senatorësh amerikanë shprehi mbështetjen e tij për një projektligj që kërcënon Rusinë me sanksione të reja të ashpra, nëse ajo refuzon të angazhohet në negociata serioze për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Njoftimi erdhi nga senatori republikan, Lindsey Graham, një prej nismëtarëve të projektligjit, raportoi Bloomberg.

    Sipas një versioni fillestar të projektligjit, të cilin e ka siguruar Bloomberg News, masat e propozuara përfshinë një tarifë të gjerë prej 500 për qind ndaj importeve nga vendet që vazhdojnë të blejnë naftë, gaz apo uranium rus./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!