Një mural me portretin e kryeministres së Zelandës, Jacinda Ardern ka përfunduar të mërkurën në Brunswick, në veri të Melburnit.
Murali 75 metra i lartë portretizon momentin kur kryeministrja Ardern, e cila mbante hixhab në kokë, përqafoi një grua myslimane që mbante zi për viktimat e sulmit terrorist që ndodhi në Christchurch të Zelandës së Re në mars të këtij viti, transmeton Reporteri.net.
Më shumë se 50 vetë humbën jetën pasi një person i armatosur hapi zjarr në dy xhami të këtij qyteti. Kryeministrja Ardern u vlerësua globalisht për menaxhimin e situatës dhe vendosmërinë e saj të fortë për të ndryshuar ligjet e armëve në vend pas sulmit të tmerrshëm terrorist.
Organizatorët e muralit thanë se Brunswick ishte një vend i përshtatshëm për ta vënë atë për shkak të “historisë dhe diversitetit të komuniteteve që jetojnë aty”.
Ndryshe që nga ardhja në pushtet, Ardern ka paraqitur një imazh në kontrast të fortë me udhëheqësit e shumë vendeve të mëdha perëndimore. Ndërsa vendet, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë tentuar të mbajnë emigrantët jashtë, Ardern ka kërkuar në mënyrë aktive t’i sjellë ata brenda. /Reporteri.net