×
  • Lajme
  • Botë

    “E neveritshme”, Musk kritikon projektligjin e Trump pas largimit nga qeveria

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 21:34

    Vetëm pak ditë pasi u largua nga administrata amerikane, miliarderi Elon Musk nuk ka vonuar kritikat ndaj projektligjit të Presidentit të SHBA, Donald Trump, për taksat dhe shpenzimet.

    “Më vjen keq, por nuk mund të duroj më. Ky projektligj skandaloz dhe me shpenzime të panevojshme të Kongresit, është një neveri e turpshme. Turp për ata që e votuan. Ju e dini që vepruat gabim”, ka shkruar Elon Musk në rrjetin social X.

    Me këtë projektligj, Donald Trump synon që të lehtësojë tatimet dhe do të ketë shkurtime të shpenzimeve për qeverinë.

    Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin muajin e kaluar me vetëm një votë diferencë, pas paralajmërimit të Zyrës së Pavarur të Buxhetit të Kongresit se kjo masë do t’i shtonte 3.8 trilionë Dollarë borxhit federal, që aktualisht kap vlerën 36.2 trilionë Dollarë.

    Edhe Elon Musk mendon se pr/ligji do të rrisë borxhin.

    “Ky projektligj do ta rrisë në mënyrë të konsiderueshme deficitin buxhetor dhe do të rëndojë qytetarët amerikanë me një borxh të papërballueshëm”, shtoi miliarderi.

    Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë kritikat e tij, duke thënë se Presidenti e di mendimin e Musk, megjithatë puna për ta kthyer në ligj do të vijojë.

    Senati, i cili gjithashtu kontrollohet nga republikanët e Trump, synon ta miratojë projektligjin brenda muajit të ardhshëm, edhe pse priten ndryshime në versionin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

    Presidenti Trump e kishte emëruar Elon Musk në krye të një departamenti për të shkurtuar shpenzimet dhe për të rritur efikasitetin, gjatë së cilës Musk ndërhyri në disa agjenci federale, por në fund nuk arriti të përmbushte premtimet e mëdha. Ai dha dorëheqjen javën e kaluar./Klanmk

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!