×
  • Lajme
  • Botë

    Ekspertët e OBSH-së thonë se s’ka prova që coronavirusi po humb fuqinë

    Reporteri
    01 Qershor 2020 | 23:58

    Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe shkencëtarë tjerë kanë deklaruar të hënën se nuk kishte dëshmi për të mbështetur vlerësimin e një mjeku të profilit të lartë nga Italia, se coronavirusi është duke e humbur fuqinë.


    Profesori Alberto Zangrillo, kreu i repartit për përkujdesje intensive në spitalin “San Raffaele” të Lombardisë, rajoni më i prekur i Italisë, ka thënë të dielën për televizionin shtetëror italian se koronavirusi i ri ”klinikisht nuk ekziston më”, raporton Reuters, transmeton KOHA.

    Por epidemiologia e OBSH-së, Maria Van Kerkhove dhe disa ekspertë tjerë të viruseve dhe sëmundjeve infektive thanë se komentet e Zangrillos nuk ishin të mbështetura nga dëshmi shkencore.

    “Nuk ka të dhëna se koronavirusi është duke ndryshuar dukshëm, as në formën e përhapjes e as në ashpërsinë e sëmundjes që e shkakton”, kanë thënë ata.

    “Sa i përket përhapjes, kjo nuk ka ndryshuar, sa i përket ashpërsisë, as kjo nuk ka ndryshuar”, u tha gazetarëve Van Kerkhove.

    Nuk është gjë e pazakontë që viruset të përjetojnë mutacion dhe të adaptohen deri sa përhapen.

    Martin Hibberd, profesor i sëmundjeve infektive në Londër ka thënë se studime të mëdha rreth ndryshimeve gjenetike të virusit SARS-SoV-2 i cili shkakton sëmundjen Covid-19, nuk përkrahin idenë se është duke u bëre më pak i fuqishëm apo se është duke u dobësuar në ndonjë mënyrë.

    “Me të dhënat nga më shumë se 35.000 gjenome të virusit, për momentin nuk ka dëshmi se ka ndonjë dallim të theksuar sa i përket ashpërsisë së virusit”, ka thënë ai.

    Zangrillo, i njohur në Itali si mjeku personal i ish kryeministrit Silvio Berlusconit, ka thënë se komentet e tija ishin mbështetur nga një studim i realizuar nga shkencëtari Massimo Clementi dhe se studimi do të publikohet javën e ardhshme.

    Studimi nga Clementi, i cili është drejtor i laboratorit mikrobiologjik dhe të virologjisë në San Raffaele, krahasoi mostrat e virusit nga pacientët e një spitali në Milano nga muaji mars, me ato të pacientëve në muajin maj.

    “Rezultati ishte i dukshëm: dallim i madh në mes ngarkesës me virus në pacientë në muajin mars, krahasuar me ata në muajin maj”, ka thënë ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!