×
  • Lajme
  • Botë

    Eksperti i pandemisë: SHBA të mos dalë nga izolimi

    Reporteri
    13 Maj 2020 | 12:41

    Shtetet e Bashkuara regjistruan në 24 orët e fundit afro 2 mijë viktima të reja nga koronavirusi.


    Ndërsa shtetet përgatiten të dalin gradualisht nga izolimi disajavor, ekspertët paralajmërojnë se kjo rrezikon shpërthimin e një vale të dytë pandemie.

    Eksperti më i lartë për pandeminë në Shtetet e Bashkuara ka paralajmëruar Senatin amerikan për rrezikun e një shpërthimi të dytë të infektiv nëse hiqen shpejt masat kufizuese kundër koronavirusit.

    Antoni Fauçi, drejtori i Institutit për Sëmundjet Infektive dhe Alergjitë, rekomandoi të martën që shtetet amerikane të vërejnë shenjat e uljes së infeksionit para se të rihapin ekonomitë e tyre.

    Dalja e shteteve nga izolimi është një nga zotimet kyç të presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhbërë pasojat e koronavirusit në ekonomi.

    “Frika ime është se do fillojmë të shohim valë të vogla infeksioni, dhe rreziku real është shpërthimi i një pandemie të re që mund të mos e kontrollojmë dot më. Kjo jo vetëm do na sjellë vuajtje dhe vdekje por do vështirësojë edhe rikuperimin e ekonomisë,” deklaroi doktor Fauçi nga shtëpia e tij, pasi qëndron edhe vetë në karantinë pas rënies në kontakt me persona të diagnostikuar më herët me Covid-19.

    Eksperti inkurajoi vendimmarrësit edhe kundër hapjes së shkollave, duke theksuar se fëmijët nuk janë domosdoshmërisht imunë ndaj sëmundjes.

    Për çështjen e një vaksine kundër koronavirusit, Fauçi hodhi poshtë objektivat e Shtëpisë së Bardhë se ajo mund të jetë gati brenda vjeshtës.

    Në SHBA, numri i të infektuarve me Covid-19 ka kaluar 1,3 milionë ndërsa viktimat nga infeksioni u shtuan në 82 mijë një ditë më parë.

    Sipas presidentit, Donald Trump, Amerika kryen numrin më të lartë të testimeve në botë por politikanët e të dy krahëve ankohen se analizat nuk janë ende në nivelin e duhur.

    Na bazë të matjeve të kryera nga shkencëtarët e Oksfordit, Danimarka, Zelanda e Re dhe Kanadaja kryesojnë listën e shteteve për testimet për koronavirus për frymë apo për 1 mijë banorë.

    Ligjvënësit demokratë zbuluan të martën një paketë me vlerë 3 trilionë dollarë për t’i ardhur në ndihmë familjeve, bizneseve dhe shteteve më të goditura nga pandemia, por kundërshtarët republikanë dhe presidenti Trump janë shprehur paraprakisht hezitues ndaj këtij propozimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!