×
  • Lajme
  • Botë

    Emigrantët ngrenë padi kundër administratës së Trumpit: Po na trajtojnë si kafshë…

    Reporteri
    20 Gusht 2019 | 15:46

    Një grup i emigrantëve të mbajtur në qendrat e përkohshme të mbikëqyrjes në SHBA kanë ngritur padi kundër Administratës së Imigracionit dhe të Ruajtjes Doganore (ICE) të SHBA-ve për mungesë të kujdesit mjekësor dhe mjediseve për personat me aftësi të kufizuara.


    Në padinë e ngritur në gjykatën e nëntë të SHBA-ve, 15 emigrantë që prisnin përfundimin e procedurave të aplikimit të azilit në qendrat e ndryshme të mbikëqyrjes, që menaxhohen nga ICE nëpërmjet kompanive private ose nëpërmjet qirasë nga institucionet penale dhe të paraburgimit, shprehën ankesat e tyre që kanë përjetuar për shkak të problemeve në shërbimet shëndetësore, transmeton AA.

    Në kërkesën e padisë renditen ankesa rreth kushteve në tetë komplekse të ndryshme, në mesin e të cilave qendra e mbikëqyrjes që menaxhohet nga një kompani private në rajonin Adelanto të Kalifornisë dhe burgu Teller që përdoret si qendër mbikëqyrje në Kolorado.

    Humbje të të pamurit për shkak të mungesës së operacionit

    52-vjeçari Faruk Abdullah Ferhat, shtetas jordanez, një prej të cilëve ka paraqitur ankesë, në muajin prill është zbuluar se kishte një shqetësim në syrin e majtë gjatë kohës që mbahej për më shumë se tre vite në Adelanto. Siç raportohet, ai ka pësuar humbje të të pamurit në sy për shkak se nuk ka marrrë trajtim në qendër, pavarësisht se mjeku i ardhur nga jashtë kishte theksuar se ai duhej të operohej.

    Po ashtu për shkak të dhimbjeve në shpinë dhe në gjunjë, për emigrantin Ferhat u sigurua një karrocë me rrota. e cila iu mor përsëri pas një muaji pavarësisht se ai vazhdonte të ankohej nga shqetësimet që kishte.

    Edhe një tjetër emigrant që qëndron në të njëjtin objekt u ankua ndaj njërit prej punonjësve të stafit, duke bërë të ditur se ai ishte mbajtur i ndarë nga emigrantët e tjerë për një muaj dhe ishte mbajtur në izolim.

    “Ka 3 ditë që nuk jam larë, këtu me plote kuptimin e fjalës na trajtojnë sikur të ishim kafshë”, tha njëri nga emigrantët i cili nuk deshi ta publikoj identitetin.

    Nuk janë kryer trajtimet për skizofreni dhe bipolar

    Një emigrant 29-vjeçar meksikan, që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në SHBA dhe që po trajtohej për skizofreni dhe çrregullim bipolar, u vendos në një qendër paraburgimi në muajin maj dhe gjendja e tij u përkeqësua për shkak të ndërprerjes së trajtimit të tij që nga kjo periudhë.

    Zyrtarët e administratës ICE nuk kanë komentuar mbi padinë e ngritur, por ata kanë mbrojtur idenë se në qendrat e mbikëqyrjes për emigrantët sigurohet kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës dhe se në qendra vetëm 1 për qind e emigrantëve mbahen të vetëm me kohë të përkohshme në qendra.

    Paditësit, por edhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve dhe të personave me aftësi të kufizuara që i mbështetën, kanë kërkuar të eliminohet situata viktimizuese e emigrantëve dhe kushtet e tyre të përmirësohen.

    Vlerësohet se rreth 55 mijë persona mbahen në qendrat e emigracionit, të cilat u vendosën të ngrihen si një masë e presidentit amerikan, Donald Trump, për të ndaluar fluksin e migracionit të parregullt në vend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!