Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi ditën e hënë një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të cilën e cilësoi si “shumë produktive, gjithëpërfshirëse dhe të sinqertë”.
Në një postim në platformën sociale X, Erdogan deklaroi se gjatë telefonatës u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi të lartë rajonale dhe globale, përfshirë krizën humanitare në Gaza, situatën në Siri, luftën në Ukrainë, tregtinë globale dhe zhvillimet e fundit në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.
“Telefonata ime me mikun tim të dashur, z. Donald Trump, ishte e frytshme dhe shumë e sinqertë,” shkroi Erdogan, duke shtuar se pret të takohet me të në një të ardhme të afërt.
Presidenti turk bëri të ditur se të dy liderët ripohuan vullnetin e tyre të ndërsjellë për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe marrëdhënieve tregtare.
Gjithashtu, Erdogan shprehu vlerësimin e tij për përpjekjet e Trump për promovimin e paqes dhe përfundimin e konflikteve globale, duke nënvizuar se Turqia është e gatshme të japë kontributin e saj për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
“E shpreha dëshirën për ta pritur mikun tim në Turqi sa më parë. Ai, nga ana e tij, na ftoi në SHBA,” tha Erdogan, duke sinjalizuar për një takim të mundshëm në të ardhmen mes dy figurave politike.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.