×
  • Lajme
  • Botë

    Erdogan më në fund uron Bidenin

    Reporteri
    10 Nëntor 2020 | 23:28

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e uroi Joe Bidenin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA.


    Erdogan tha se marrëdhëniet dypalëshe janë të natyrës “strategjike” dhe se duhet të forcohen më tej, duke u bazuar në interesat e përbashkëta.

    Erdogan përsëriti “vendosmërinë e Ankarasë për të punuar nga afër me administratën amerikane”, gjatë periudhës së ardhshme.

    “Bashkëpunimi dhe aleanca e fortë” midis dy vendeve do të vazhdojnë të kontribuojnë në paqen në botë, tha Erdogan.

    Marrëdhëniet midis SHBA’së dhe Turqisë janë tensionuar kohëve të fundit për një varg çështjesh, përfshirë krizën në Siri dhe bashkëpunimin ushtarak të Ankarasë me Rusinë.

    Mediat amerikane kanë parashikuar fitoren e Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA.

    Presidenti i zgjedhur, Biden, ka thënë pas fitores se do të jetë president i të gjithëve, ndërsa ka paralajmëruar se prioritet i administratës së tij do të jetë lufta kundër pandemisë së koronavirusit.

    Presidenti aktual i SHBA’së, Donald Trump, nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje.

    Pa paraqitur asnjë provë, Trump ka thënë se zgjedhjet janë vjedhur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!