Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, mori pjesë të enjten në një paradë ushtarake të forcave azere në kuadër të vizitës zyrtare që po e zhvillon në Azerbajxhan.
Lideri i shtetit turk, i cili e përkrahu Azerbajxhanin në mënyrë diplomatike dhe ushtarake gjatë luftimeve me Armeninë, tërthorazi u ofroi përkrahje kundërshtarëve të kryeministrit armen, i cili është nën trysni për të dhënë dorëheqje shkaku i menaxhimit të konfliktit.
“I dëshirojmë popullit armen që të lirohet nga barra e liderëve që e ngushëllon me gënjeshtra të së kaluarës dhe që e kurthon në varfëri. Nëse populli armen e marrin mësimin nga ajo që ndodhi në Karabak, ky do të jetë fillimi i një epoke të re”, tha Erdogani.
Sidoqoftë, ai tha se ka nevojë që forcat armene të mbahen përgjegjëse për ato që i quajti krime lufte të shkatërrimit të fshatrave, qyteteve dhe xhamive.
Turqia dhe Armenia kishin nënshkruar një pakt të paqes më 2009 për rivendosjen e raporteve dhe për hapjen e kufirit pas armiqësisë njëshekullore që nga vrasja masive e armenëve nga forcat e Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore.
Të enjten, forcat azere mbajtën paradë ushtarake në kryeqytetin Baku për ta festuar marrëveshjen e paqes rreth Nagorno-Karabakut, e cila i jep të drejtë Azerbajxhanit për ta marrë kontrollin në një pjesë të madhe të rajonit të kontestuar dhe zonave përreth tij.
Marrëveshja u nënshkrua saktësisht një muaj më parë dhe u dha fund luftimeve që zgjatën gjashtë javë. Pakti i ndërmjetësuar nga Moska u vlerësua si fitore e madhe në Azerbajxhan, por nxiti protesta masive në Armeni, ku opozita e ka kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Nikol Pashinyan.