×
  • Lajme
  • -->
    Botë

    Eskalon protesta në Hong Kong, një protestues qëllohet në gjoks

    Reporteri
    01 Tetor 2019 | 13:29

    Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Hong Kongut të martën, ditën e shënimit të 70-vjetorit të ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste të Kinës.


    Protestat nisën në mënyrë paqësore, por më pas shpërthyen në dhunën më të rëndë që nga nisja e tyre para katër muajve.

    Policia ka përdorur plumba të vërtetë dhe e ka qëlluar një protestues në distriktin Tsuen Wan. Lajmin për incidentin e ka konfirmuar një burim policor.

    Ndonëse të shtëna me armë ka pasur edhe në protestat e kaluara si shenjë paralajmëruese për protestuesit dhe policia i ka lënduar rëndë disa protestues me plumba gome, kjo është hera e parë që një protestues qëllohet me plumb lufte, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

    Në pamjet e publikuara në medie shihet një burrë i shtrirë në tokë duke kërkuar ndihmë. “Më dërgoni në spital, po më dhemb gjoksi. Kam nevojë të shkoj në spital”, dëgjohej duke thënë personi i plagosur.

    Autoritetet shëndetësore të Hong Kongut njoftuan se 15 persona janë lënduar, përfshirë personin e plagosur nga plumbi, i cili raportohet se ndodhet në gjendje kritike.

    Dhjetëra mijëra njerëz nuk iu bindën urdhrit të policisë për të mos mbajtur protestë në pjesën qendrore të Hong Kongut. Organizatorët e tubimit thanë se përvjetori i pushtetit komunist duhet të shënohet me ditë zie, e jo festë.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!