×
  • Lajme
  • Botë

    Estonia nis kontrollet e plota kufitare në kufi me Rusinë

    Reporteri
    08 Gusht 2024 | 20:06

    Qeveria e Estonisë njoftoi të enjten se ka filluar kontrolle të plota kufitare në kufirin e saj me Rusinë. Deri tani, autoritetet estoneze kanë kryer vetëm kontrolle të rëndomta kufitare.

    Vendimi i së enjtes për kontrolle të plota kufitare në pikëkalimet tokësore dhe hekurudhore në Narva, Koidula dhe Luhamma, u fut në fuqi menjëherë.

    Ata të cilët e kalojnë kufirin në këmbë, kontrolli i plotë nënkupton kontrollimi i personit dhe i valixhes së tij apo saj. Atyre që udhëtojnë me veturë do t’iu kontrollohet vetura dhe gjërat brenda saj.

    Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, tha se vendimi u mor me qëllim për parandalimin e transportit dhe transitit përmes Estonisë të mallrave të cilat janë nën sanksione të Bashkimit Evropian.

    Estonia, ish-republikë sovjetike, është tani një përkrahëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtuesit rus.

    Kufijtë finlandezë dhe estonezë me Rusinë janë kufij të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

    Prej kur Moska e filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, Bashkimi Evropian ka vendosur 14 paketa sanksionesh ndaj Rusisë.

    Ato përfshijnë, ndër të tjera, masa ekonomike, si kufizimi i importeve dhe eksporteve, të cilat prekin sektorë të ndryshëm në Rusi – nga energjia, bankat, industria dhe transporti, deri te mediat shtetërore ruse, të cilave u ndalohet të punojnë në BE./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!