BE deri sot ka qëndruar larg polemikave Sino-Amerikane, por me shtimin e konkurrencës ekonimike dhe tensionet në rritje në Detin e Kinës së Jugut, asaj do i duhet shumë shpejt që të renditet përkrah aleatit të vet SHBA-së, ose të rrezikojë humbjen e statusit të saj si një superfuqi në arenën globale.
Ndonëse janë të shumtë ata që nga Brukseli bëjnë thirrje për neutralitet që Europa të mund të përfitojë nga marrëdhëniet tregtare dhe politike me Uashingtonin, ashtu si dhe me Pekinin, realiteti politik nuk të lejon të ruash ekuilibra kaq delikatë sidomos në një botë ku multilateralizmi është më i rëndësishëm se kurrë më parë. “Një situatë ku të gjithë bashkohemi kundër Kinës, mbart shumë rreziqe”- ka thënë Presidenti Emmanuel Macron, duke sinjalizuar kështu dëshirën e BE për të ruajtur raporte të mira me Kinën, edhe kur kjo e fundit kërcënon hapur interesat e SHBA në botë.
Administrata Biden që prej ditëve të saj të para ka denoncuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, veçanërisht shkeljen e të drejtave të minoritetit mysliman, por edhe kërcënimet që Pekini dërgon drejt Hong Kong-ut dhe Taiwan-it, dy provincave kapitaliste që kanë interesa financiarë me SHBA. Është evidente se në terma afatgjatë, Kina synon krijimin e një bote që nuk është e sigurt për liberalizmin evropian. Modeli kinez është ai i survejimit, i dhunës dhe shtypjes së fjalës së lirë dhe të qëndrosh neutral përpara kësaj është thjesht të lejosh të keqen të rritet derisa të ketë potencën të të absorbojë dhe ty.
Europa, në rast se dëshiron të jetë një fuqi globale me peshë historike, duhet të shikojë përtej interesave meskine dhe afatshkurtra dhe të marrë rolin moral i cili i takon. Çdo zgjidhje tjetër ka pasoja katastrofike për kontinentin.