“Fenomenit” të rrjeteve sociale, Andrew Tate, i është suspenduar llogaria në rrjetet sociale Instagram dhe Facebook për shkaqe të shkeljes së rregullave të përdorimit të këtyre dy platformave.
Ai mori vëmendje të madhe me deklaratat e tij në rrjete sociale duke gjeneruar deri 4.7 milionë ndjekës në Instagram deri në momentin kur iu suspendua llogaria, raporton BBC, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Deklaratat e tij janë komentuar e gjykuar nga të gjithë pasi, në njërën prej tyre, të publikuar në Twitter, Tate sulmonte gratë, ku tha se ato “duhet të mbajnë përgjegjësi” nëse abuzohen seksualisht.
Pas këtij komenti, Twitter gjithashtu ia suspendoi llogarinë.
Në një tjetër video të publikuar në Youtube, Tate tha se është një “mizogjinist i vërtetë”.
“Unë jam realist dhe, kur je realist, je seksist. Nuk ka asnjë mënyrë që të jesh i rrënjosur në realitet dhe të mos jesh seksist”, shtoi ai, transmeton Reporteri.net.
Më vonë, në të njëjtën video, ai i quajti gratë “në thelb dembele” dhe tha se “‘femra e pavarur’ nuk ekziston”.
Në një video tjetër, Tate konsideron se të pasurit përgjegjësi mbi një grua nënkupton që ajo duhet t’i bindet.
“Nëse kam përgjegjësi mbi të [mbi një grua], atëherë duhet të kem një shkallë autoriteti.”
Ai shtoi se “nuk mund të jesh përgjegjës për një qen nëse nuk të bindet”. /Reporteri.net/.