Përpjekja për t’ia marrë jetën Robert Ficos ka ndodhur në kohën kur Sllovakia po përjetonte mjegullën e madhe politike – mjegull, pjesën më të madhe të të cilës e krijoi vetë, shkruan BBC.
Atentati i tij ka ndodhur në ditën kur parlamenti ka nisur diskutimin e propozimit të qeverisë së tij për të zhbërë transmetuesin publik të Sllovakisë dhe ta zëvendësojë me një institucion, të cilin kundërshtarët e tij politikë frikësohen se do të jetë pasiv ndaj tij dhe aleatëve brenda koalicionit nacionalist-populist.
Propozimi ka nxitur protestat masive – disa të organizuara nga opozita liberale pro-perëndimore dhe nga ata që frikësohen për lirinë e mediave në Sllovaki, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Reformat e Ficos në drejtësi, përfshirë shpërbërjen e Zyrës së Prokurorit Special – e cila ishte themeluar për të hetuar korrupsionin e thellë dhe krimin e organizuar, disa prej të dyshuarve janë anëtarë të partisë së tij, gjithashtu kanë nxitur njerëzit që të dalin nëpër rrugë.
Mirëpo teksa këta protestues kanë qenë të zhurmshëm, protestat ishin paqësore. Temperatura politike ka mundur të ngrihet në Sllovaki qëkur e formoi atë që tani e quan administratën e tij të katërt, mirëpo ky atentat e çon shtetin sllovak në një territor të pashkelur më parë.
Aleati i tij i koalicionit, zëvendëskryeministri Andrej Danko, lider i partisë ultranacionaliste, tashmë e ka fajësuar opozitën për atentatin. Ai ka thënë se shteti po shkon drejt një “lufte politike”.
Ndërkaq Milan Nic, ish-këshilltar i zëvendësministrit të Sllovakisë, ka thënë se klima politike është shumë e polarizuar në vitet e fundit. “Më vjen keq që po them se kjo ishte duke ardhur. Fatkeqësisht ky nuk është incident i izoluar”, ka thënë Nic për BBC-në.
Ai ka shtuar se lajmi për atentatin ndaj kryeministrit është i rëndë, “por në të njëjtën kohë janë politikanë të tjerë që po kërcënoheshin, përfshirë presidenten [Zuzana] Caputova”. “Klasa politike duhet ta marrë me seriozitet këtë rast”.
Fico është rikthyer në pushtet pas zgjedhjeve të muajit shtator të vitit të kaluar. Ai i priu koalicionit populist dhe nacionalist.
Ai i priu partisë së majtë populiste Smer-SSD dhe i fitoi zgjedhjet në muajin tetor me premtimet se do të ndalte ndihmat ushtarake për Ukrainën, por ka mohuar se është pro-rus.
Ndërkaq, në vitin 2018 ishte detyruar të jepte dorëheqje nga posti i kryeministrit pas vrasjes së gazetarit hulumtues Jan Kuciak.
“Nëse Smer hyn në qeveri, ne nuk do të dërgojmë asnjë plumb për Ukrainën”, ka thënë Fico gjatë fushatës së vitit të kaluar.
Ai gjithashtu kishte premtuar se do t’u rezistonte sanksioneve perëndimore për Rusinë. Këto qëndrime të tij kanë nxitur njerëzit që ta krahasojnë atë me liderin populist të Hungarisë, Viktor Orban./Reporteri/