Tajfuni “Phanfone” e ka goditur pjesën qendrore të Filipineve në ditën e Krishtlindjeve, duke sjellë mot të lig për miliona njerëz gjatë sezonit të festave. Mijëra persona janë strehuar në qendra strehimi.
Stuhia i dëmtoi kulmet e shtëpive dhe pemët, ndërsa shumë shtëpi mbeten pa rrymë. Më shumë se 10 mijë njerëz e kaluan natën në shkolla dhe ndërtesa qeveritare, të cilat u përshtatën si qendra strehimi.
“Ishte e frikshme. Xhami i dritares u thye dhe u strehuam nën shkallë”, tha Ailyn Metran, pasi ajo me fëmijën 4 vjeç e kaluan natën në zyrën e Shërbimit Shtetëror të Motit, ku punon burri i saj. Kjo familje më pas u kthye në shtëpi, ku panë se dyshemeja ishte e mbuluar me baltë dhe një dru ishte rrëzuar mbi shtëpi, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
Më shumë se 25 mijë persona që ishin nisur drejt shtëpive për mesnatën tradicionale të Krishtlindjeve u bllokuan në porte detare për shkak të ndërprerjes së shërbimit të trageteve. Autoritetet gjithashtu i kanë anuluar shumë fluturime.
Filipinet janë shteti kryesor që përballet me stuhitë që vijnë nga Oqeani Paqësor dhe zakonisht goditet nga 20 stuhi në vit. Sipas një studimi, këto stuhi e dëmtojnë prodhimin ekonomik të vendit për 3 për qind.