Turqia ka hequr bllokadën ndaj Finlandës dhe Suedisë, duke u hapur kështu rrugë këtyre dy vendeve për anëtarësim në NATO, shkruan Reporteri.net.
Të tri shtetet kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi sot në Madrid të Spanjës, në kohën kur po mbahet samiti i NATO-s.
Marrëveshja i hap rrugë dy shteteve nordike që t’i bashkohen aleancës ushtarake më të madhe në botë, në një kohë tensionesh që kërcënojnë paqen globale, si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Lajmin për arritjen e marrëveshjes e ka bërë të ditur Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, i cili e shpërndau deklaratën në Twitter.
“Një hap përpara”, shkroi ai.
Niinisto tha se përparimi erdhi pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët “për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit”.
Ndryshe, pushtimi rus në Ukrainë ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të aplikojnë për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.
Mirëpo presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kishte thënë se është kundër pranimit të këtyre dy shteteve në NATO, duke përmendur atë që e konsideron mbështetje nga ana e tyre për “organizata terroriste”.
Me këtë deklaratë ai u referohej organizatave të ndaluara, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe milicisë kurde, Njësitet për Mbrojtje të Popullit (YPG) në Siri./Reporteri.net
❗️#Finland and #Sweden will join #NATO. A compromise was found with #Turkey. https://t.co/ZHB2gp1jux
— NEXTA (@nexta_tv) June 28, 2022