×
  • Lajme
  • Botë

    Franca buzë formimit të Qeverisë së re

    Reporteri
    19 Shtator 2024 | 22:01

    Pas disa muajve pasiguri politike pas zgjedhjeve të parakohshme, duket se Franca është shumë afër ta ketë Qeverinë e re, pasi kryeministri Michel Barnier pritet ta paraqesë kabinetin e tij para presidentit Emmanuel Macron.

    Macroni e emëroi Barnierin kryeministër të vendit para dy javëve.

    Barnier, ish-kryenegociator i BE-së për Brexit-in, ka hasur në vështirësi për ta formuar Qeverinë e re, për shkak të dallimeve të mëdha mes partive politike.

    Zgjedhjet e parakohshme të thirrura nga Macroni në korrik nuk dhanë fitues të qartë, i cili do të mundë ta formonte Qeverinë e re vetë, duke e lënë Francën në duart e një qeverie të përkohshme.

    Tani i takon Macronit ta miratojë kabinetin e Barnierit.

    BFM TV raportoi se Barnier e ka propozuar konservatorin Bruno Retailleu për ministër të Brendshëm, ndërsa Jean-Noel Barrot për ministër të Jashtëm.

    Sebastien Lecornu do ta mbajë postin e ministrit të Mbrojtjes, sipas BFM TV, derisa ligjvënësi 33-vjeçar, Antoine Armand do ta marrë një post të lartë, të paspecifikuar, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

    Barnier ka shërbyer si ministër i Mjedisit, i Bujqësisë dhe i Punëve të Jashtme, ka qenë edhe ish-kryenegociatori i Bashkimit Evropian gjatë Brexit-it.

    Ai ka qenë nën trysni për ta formuar Qeverinë e re pasi deri më 1 tetor është afati kur Qeveria duhet të paraqesë një draft-buxhet për vitin 2025./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!