×
  • Lajme
  • Botë

    Gjenerali Wesley Clark për tërheqjen e mundshme të SHBA-së nga NATO: Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur

    Reporteri
    24 Mars 2025 | 13:42

    Ish-komandanti Suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, e ka komentuar mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Aleanca Veriatlantike.

    Ai tha se tërheqja e mundshme e ushtrisë amerikane do ta kënaqte Rusinë.

    “Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur”, tha Clark.

    Kjo deklaratë vjen pasi Pentagoni po shqyrton një plan që do të rezultonte që SHBA të heqë dorë nga pozicioni i saj si komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë, shkruan The Hill.

    “Komandat luftarake të SHBA-së janë maja e shtizës luftarake amerikane. Prandaj, ne jemi shumë të shqetësuar për raportet që pretendojnë se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton ndryshime të njëanshme në çështjet kryesore strategjike, duke përfshirë reduktime të konsiderueshme të forcave amerikane të stacionuara jashtë vendit, mungesë të koordinimit me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin”, tha politikani Mike Rogers.

    Një ditë më vonë, ish-udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell argumentoi nëse administrata do të vepronte sipas propozimit, kjo do të dobësonte në mënyrë drastike aleancën ushtarake të NATO-s, në të cilën SHBA ka mbajtur pozicionin e saj drejtues për gati 75 vjet.

    “Dobësimi i udhëheqjes amerikane nuk do të forcojë interesat e NATO-s apo të SHBA-së. Nëse jemi seriozë për të inkurajuar aleatë më të aftë evropianë, tërheqja nga pozicioni ynë si udhëheqës i aleancës transatlantike do të ishte një mënyrë e çuditshme për ta treguar atë”, tha McConnell në një deklaratë.

    Ishte fillimisht sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

    Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth tha se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.

    “Kjo është arsyeja përse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë. Tani është koha për të investuar, sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai më 14 shkurt.

    Sipas një dokumenti që siguroi gazeta amerikane The Washington Post, Hegseth urdhëroi, gjithashtu, udhëheqësit e Pentagonit dhe të ushtrisë amerikane që të bëjnë plane për shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes për 8 për qind, në secilin prej pesë vjetëve të ardhshëm.

    Këtij debati, një element tjetër ia shtoi edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.

    Ai i kritikoi udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e lidhi me politikëbërjen në kontinent.

    Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator më 20 shkurt, Vance tha se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse njerëzit atje mund të burgosen për postime fyese në mediat sociale.

    “E gjithë mbrojtja e Gjermanisë subvencionohet nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai.

    Situata shkaktoi jo pak ankth në mesin e aleatëve këndej Atlantikut.

    Njeriu që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se synim i tij do të jetë arritja e pavarësisë nga SHBA-ja në aspektin e sigurisë.

    “Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

    Trump, edhe gjatë mandatit të parë si president, u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë që t’i rrisin ndjeshëm kontributet e tyre financiare në mbrojtje.

    I pyetur gjatë një konference me gazetarë, më 18 shkurt, se a do të ishte i gatshëm të konsideronte tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Evropa, në kuadër të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë, Trump tha:

    “Askush nuk më ka kërkuar ta bëj këtë. Nuk mendoj se duhet ta bëjmë. Nuk do të doja ta bëja”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!