×
  • Lajme
  • Botë / Detajet

    Gjermania ashpërson ligjet e imigracionit, ndalon bashkimin familjar për këta persona

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 20:54

    Qeveria gjermane planifikon të zbatojë një marrëveshje koalicioni javën e ardhshme për të forcuar më tej ligjet e imigracionit, të cilat përfshijnë heqjen e procedurës së përshpejtuar për marrjen e nënshtetësisë gjermane dhe ndalimin e bashkimit familjar për njerëzit me mbrojtje shtesë.

    “Deri më tani, deri në 1000 njerëz në muaj mund të emigronin në Gjermani si pjesë e programit të bashkimit familjar. Tani ky është fundi”, tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt, në një intervistë për Bild.

    Ai shpjegoi se në mbledhjen e kabinetit këtë të mërkurë, qeveria do të kalojë ndryshimet në ligj për të cilat është rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së re, të cilat kanë të bëjnë me ndalimin e programit të bashkimit familjar dhe heqjen e përshpejtuar të marrjes së shtetësisë.

    Bëhet e ditur se që tani e tutje, personat që gëzojnë të ashtuquajturën mbrojtje shtesë në Gjermani nuk do të mund të marrin më anëtarë të familjes në Gjermani, shkruajnë mediat e huaja.

    Personat me mbrojtje shtesë janë personat të cilëve nuk u është dhënë azil por nuk dëbohen sepse kërcënohen me persekutim ose jeta e tyre është në rrezik në vendin e origjinës.

    Pasi të pushojë rreziku në vendin e tyre të origjinës, për shembull pas përfundimit të luftës, pushon së zbatuari edhe mbrojtja.

    Në të njëjtën kohë, ligji i miratuar së fundmi për marrjen e përshpejtuar të shtetësisë gjermane pas vetëm tre vitesh qëndrimi në Gjermani po shfuqizohet.

    “Ne duhet të eliminojmë faktorët që tërheqin refugjatët në Gjermani. Dhe duke e bërë këtë, ne tregojmë se politika e migracionit në Gjermani po ndryshon”, tha Dobrindt.

    Ndryshe, si një nga masat e para që kur mori detyrën në fillim të muajit, Dobrindt vendosi kontrolle më të rrepta në kufijtë gjermanë. /Telegrafi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!