×
  • Lajme
  • Botë

    Gjermania drejt pagës minimale prej 15 eurosh në orë?

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 23:37
    Human hands that consider 50-euro bills. In the hands of a lot of money, 50 denominations of euros

    Koalicioni i ri qeveritar në Gjermani, i përbërë nga CDU/CSU dhe SPD, ka përfshirë në marrëveshjen e tij një synim për të rritur pagën minimale në 15 euro në orë deri në vitin 2026. Aktualisht, paga minimale është 12.82 euro. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo do të realizohet në praktikë.

    Marrëveshja e koalicionit thotë se Komisioni i Pagës Minimale do të marrë në konsideratë zhvillimet në marrëveshjet kolektive dhe 60% të pagës bruto mesatare të punonjësve me kohë të plotë. Kjo, sipas SPD-së, e bën të arritshme shifrën prej 15 eurosh. Por udhëheqësi i CDU-së, Friedrich Merz, ka sqaruar se vendimi përfundimtar i takon Komisionit dhe se marrëveshja me SPD-në është thjesht një “supozim i përbashkët”, transmeton albinfo.ch

    Ministri i Punës Hubertus Heil (SPD) ka insistuar se nëse Komisioni ndjek procedurat e veta, rritja në 15 euro është e mundur dhe e domosdoshme për të mbështetur të ardhurat e ulëta dhe të mesme.

    Ndërkohë, të rinjtë e SPD-së, Jusos, kanë shprehur pakënaqësi ndaj deklaratave të Merz dhe janë kritikuar edhe disa pika të tjera të marrëveshjes, si heqja e kufirit maksimal prej tetë orësh pune në ditë dhe dobësimi i mëtejshëm i sistemit të mirëqenies sociale.

    Gjithsesi, pritet që shumica e anëtarëve të SPD-së ta miratojnë marrëveshjen deri më 29 prill, ndërsa Merz do të emërohet kancelar më 6 maj. Vëmendja më pas do të përqendrohet tek vendimi i Komisionit për Pagën Minimale.

    Që nga krijimi në vitin 2015, Komisioni ka rekomanduar rregullisht rritjen e pagës minimale, duke marrë parasysh situatën ekonomike dhe ndikimin në tregun e punës. Vetëm një herë, në vitin 2022, qeveria e ka anashkaluar vendimin e Komisionit duke vendosur rritje të njëanshme në 12 euro.

    Në këtë mandat të ri, edhe pse qeveria ka të drejtën të zbatojë ose jo rekomandimin e Komisionit, nuk mund të vendosë një shumë të ndryshme nga ajo e rekomanduar. Nëse Komisioni nuk rekomandon rritje në 15 euro, paga minimale mund të rritet më pak se sa shpreson SPD.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!