×
  • Lajme
  • Botë
    INSTANT

    Gjermania, Franca dhe Britania ‘i shtrin dorën’ Iranit në përpjekje për të ulur tensionet në konfliktin me Izraelin

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 9:36

    Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin për programin e tij bërthamor, në përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, përcjell Reporteri.net.

    Wadephul, i cili po qëndron për vizitë në Lindjen e Mesme, thotë se po përpiqet të ndihmojë në de-përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se Teherani më parë kishte dështuar të shfrytëzonte mundësinë për të hyrë në bisedime konstruktive.

    “Shpresoj që kjo ende të jetë e mundur,” i tha Wadephul transmetuesit publik gjerman ARD.

    “Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë të gatshme. Po i ofrojmë Iranit bisedime të menjëhershme për programin bërthamor. Shpresoj që kjo ofertë të pranohet.”

    “Ky është gjithashtu një parakusht thelbësor për të arritur qetësimin e këtij konflikti — që Irani të mos përbëjë rrezik për rajonin, për shtetin e Izraelit apo për Evropën.”

    Banori i Tel Avivit përshkruan jetën nën raketa: Marrim libra, jastekë, ushqim në strehimore

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 17:34

    Noah Efron, i cili jeton në Tel Aviv, orë të tëra i kaloi në një strehimore gjatë natës.

    Ai i tha BBC-së se familja e tij u strehua në një strehimore publike me 80 persona të tjerë – plus tetë qen dhe dy mace.

    Ata gjithmonë marrin me vete libra, jastëkë, ushqime për qenin dhe “një sasi të madhe biskotash me kripë (pretzels)”, thotë ai.

    Gjatë sulmit me raketa, fëmijët arritën të flinin, por të rriturit qëndruan zgjuar, duke dëgjuar shpërthimet.

    “Folëm për sa afër ishte raketa dhe nëse ishte e madhe apo nëse ndoshta e fundit”, thotë ai.

    Në qoshet e bodrumit, “njerëzit bënin shaka dhe kishte shumë komente politike”.

    “Ne mbështesim që Izraeli t’i shënjestrojë vendet bërthamore”, thotë ai, “sepse do të ishte katastrofë nëse Irani do të mund të na sulmonte me një bombë bërthamore”.

    Ky është bërë “normaliteti ynë i ri”, thotë ai, “dhe e gjithë kjo ndodh kur je me sytë gjysmë të mbyllur në mes të natës, në një strehë bombash me 80 persona që nuk i njeh, duke ngrënë Cheetos”.

    Sulmet e reja izraelite, CNN: U goditën zonat e populluara të Teheranit

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 17:06

    Po dalin më shumë detaje lidhur me sulmet izraelite të pasdites së sotme në Teheran, me zona të populluara dendur të kryeqytetit iranian që janë vënë në shënjestër, mëson CNN.

    Ato përfshijnë tre kryqëzime të ngarkuara në qytet: Sheshi Tajrish dhe Sheshi Quds, Rruga Shariati dhe Sheshi Valiasr.

    Tajrish është vendndodhja e një qendre të madhe tregtare, ndërsa Rruga Valiasr konsiderohet një nga arteriet kryesore dhe qendrat tregtare të Teheranit.

    Goditja në Sheshin Quds në Tajrish ndodhi 50 metra larg Spitalit Shohada, një qendër e madhe shëndetësore në pjesën veriore të Teheranit.

    Pamjet filmike që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që janë gjeolokuar nga CNN tregojnë shtëllunga tymi që ngrihen në qiell pas një goditjeje në një zonë të dendur të qytetit pranë Rrugës Valiasr.

    Pamje të marra nga Sheshi Quds tregojnë një person të plagosur që po transportohet me barrelë drejt një automjeti emergjence. Kamera fokusohet më pas drejt dritareve të thyera të një ndërtese aty pranë.

    Pamje të tjera tregojnë tym pranë ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë në Teheran.

    Ushtria e Izraelit më herët ka deklaruar se po shënjestronte komplekse ushtarake dhe bërthamore në Iran, megjithatë nuk ka komplekse të tilla të njohura në këto zona të kryeqytetit.

    Netanyahu del nga bunkeri, viziton pjesën e Tel Avivit që u godit nga sulmi iranian

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 16:06

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shfaq sot në  publik ku vizitoi pjesën e Tel Avivit që ishte shndërruar në rrënoja.

    Ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë,  vizitoi pjesën jugore të Tel Avivit – vendbanimin Bat Yam – i cili u godit në sulmin iranian.

    Sipas mediave izraelite, Irani qëlloi raketa hipersonike dhe balistike në këtë qytet, duke shkaktuar dëme të mëdha.

    Sulmi iranian, në të cilin u përdorën raketa balistike dhe hipersonike, la pasoja të rënda: të paktën dhjetë persona u vranë, ndërsa 208 persona u lënduan.

     

    Raketa iraniane lëshohen drejt Izraelit

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 15:42

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftojnë se sirenat e alarmit janë dëgjuar në disa zona të vendit pasi janë identifikuar raketa të lëshuara drejt Izraelit nga Irani, përcjell Reporteri.net.

    Forca Ajrore e Izraelit është “duke vepruar për t’i përgjuar dhe goditur raketat kur është e nevojshme, për të eliminuar kërcënimin”, thuhet në deklaratë.

    IDF u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes Civile./BBC/Reporteri.net/

    “Nuk ndalemi…”, shpërthime të reja tronditin Teheranin, vazhdojnë sulmet izraelite

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 14:49

    Banorët në kryeqytetin iranian, Teheran, thanë për CNN se ndjenë shpërthime të reja që tronditën qytetin pasditen e së dielës, përcjell Reporteri.net.

    Mediat shtetërore raportuan për shpërthime në disa zona të banuara në perëndim të qytetit.

    Nuk është ende e qartë shkalla e dëmeve apo nëse ka viktima.

    Ushtria izraelite po mbante një konferencë për shtyp në momentin që u publikuan këto raportime, me një zëdhënës që konfirmoi se po kryheshin sulme të tjera.

    “Nuk ndalemi së godituri as për një moment,” tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin. “Edhe tani, ne vazhdojmë të godasim dhjetëra objektiva të tjerë në Teheran.”

    /Reporteri.net/

    Ambasada e ShBA-së në Izrael i kërkon stafit dhe familjarëve të tyre të strehohen

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 14:45

    Ambasada e SHBA-së në Izrael u ka kërkuar të gjithë punonjësve dhe familjarëve të tyre të qëndrojnë të strehuar për shkak të situatës aktuale të pasigurisë.

    Departamenti i Shtetit ka njoftuar se po u lejon familjarëve të stafit në Izrael, si dhe disa punonjësve jo emergjentë, të largohen nëse dëshirojnë.

    Aktualisht, aeroporti ndërkombëtar pranë Tel Avivit është i mbyllur, çka do të thotë se e vetmja rrugë daljeje është tokësore, përmes shteteve fqinje si Jordania.

    Ambasada e SHBA-së në Izrael ndodhet në Jerusalem – një nga të paktat vende që e kanë atje – dhe jo në Tel Aviv. Si ambasada në Jerusalem, ashtu edhe zyra e saj në Tel Aviv, janë ende të hapura për shërbime konsullore emergjente.

    /Reporteri.net/

    Netanyahu: Irani do të paguajë çmim të rëndë për vrasjen e civilëve

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 14:42

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Irani do të paguajë një “çmim shumë të rëndë” për vrasjen e civilëve izraelitë.

    Duke folur nga vendi i një sulmi me raketë ndaj një ndërtese banimi në Bat Yam, Netanyahu e quajti këtë akt “vrasje të qëllimshme të civilëve, grave dhe fëmijëve”, dhe theksoi se Irani përbën një “kërcënim ekzistencial” për Izraelin.

    Ai shtoi se “shpreh dhimbjen” për të vrarët dhe se “zemrat tona janë me familjet”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë nga autoritetet.

    /Reporteri.net/

    13 të vdekur në Izrael nga sulmet e Iranit, në mesin e tyre tre fëmijë

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 13:21

    Të paktën 13 persona, përfshirë tre të mitur, kanë vdekur në Izrael pas disa ditësh konflikti me Iranin, ka njoftuar qeveria izraelite të dielën, përcjell Reporteri.net.

    Dhjetë persona u vranë gjatë sulmeve gjatë natës, ndërsa të paktën 385 të tjerë u plagosën, nga të cilët shtatë janë në gjendje të rëndë, tha qeveria.

    Gjatë natës u raportuan mbi 200 lansime raketash, me 22 vende goditjeje të identifikuara.

    Tre persona humbën jetën në sulmet e natës së mëparshme.

    /Reporteri.net/

    Ministri iranian i Shëndetësisë: Shumica e të vrarëve nga sulmet e Izraelit janë gra dhe fëmijë

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 13:18

    Shumica e të vrarëve ose të plagosurve në sulmet izraelite ndaj Iranit janë gra dhe fëmijë, tha ministri iranian i shëndetësisë, Mohammad-Reza Zafarghand, duke u cituar nga mediat shtetërore, përcjell Reporteri.net.

    Nuk është dhënë një numër zyrtar për viktimat nga tre ditë konflikti me Izraelin, por të premten përfaqësuesi i Iranit në OKB tha se të paktën 78 persona kanë humbur jetën në valën fillestare të sulmeve.

    Mediat shtetërore raportuan se të paktën 60 persona u vranë kur një raketë goditi një bllok banesash.

    /Reporteri.net/

    Izraeli shënjestron selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit në Isfahan

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 12:24

    Një zyrtar iranian ka konfirmuar se një seli e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit është shënjestruar në provincën qendrore të Isfahanit.

    Zëvendësguvernatori i Isfahanit për Çështjet e Sigurisë, Akbar Salehi, tha se deri më tani nuk ka raportime për viktima në selinë e goditur dhe se dëmet e mundshme janë ende duke u vlerësuar.

    Mbrëmë, mediat iraniane raportuan gjithashtu se një sulm izraelit ka shënjestruar Ministrinë e Mbrojtjes së vendit në zonën Nobonyad të Teheranit./Reporteri.net/

    Ambasadorja izraelite thotë se Evropa duhet të jetë mirënjohëse për atë që po bën Izraeli në Iran

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 11:47

    Ambasadorja e Izraelit në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely ka thënë se është parë që Irani s’ka asnjë qëllim për të bërë një zgjidhje diplomatike.

    Kuenssberg e sfidon atë për kohën kur Izraeli kreu sulmin – vetëm disa ditë përpara se të rifillonin bisedimet diplomatike mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me programin bërthamor të Iranit.

    “Ne pamë që Irani nuk ka asnjë qëllim për të hyrë në një zgjidhje diplomatike këtu. Ata kanë vepruar njësoj për 20 vitet e fundit,” tha ajo, duke thënë se Evropa duhet të jetë mirënjohëse për atë që po bën Izraeli.

    Ambasadorja shprehet se ajo beson që fushata e Izraelit do të krijojë gjithashtu një “mundësi më të mirë” për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

    “Unë besoj se jemi gjithnjë e më afër mundësisë që Hamasi ta kuptojë se duhet të kthejë pengjet tona dhe të sigurojë që lufta në Gaza të ndalet,” deklaron ajo.

    /Reporteri.net/

    Ministri i jashtëm i Iranit: ShBA-ja, bashkëfajtore në sulmet e Izraelit, kemi prova

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 10:41

    Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyyed Abbas Araghchi, thotë se “Amerika është partnere” në sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe thekson se SHBA “duhet të marrë përgjegjësi për veten”.

    Ai i bën thirrje SHBA-së të dënojë sulmet e Izraelit dhe thotë se këto sulme nuk do të kishin ndodhur kurrë pa dritën jeshile dhe mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.

    “Kemi marrë mesazhe përmes kanaleve të ndryshme se SHBA nuk ka pasur përfshirje në këtë sulm, megjithatë, ne nuk e besojmë këtë pretendim dhe kemi prova që e kundërshtojnë atë,” shkruan ai në Telegram.

    Ai shton se raundi i ardhshëm i bisedimeve bërthamore me SHBA-në mund të kishte hapur rrugën për një marrëveshje, por akuzon Izraelin se e ka sabotuar këtë proces./Reporteri.net/

    10 të vdekur nga sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 9:02

    Ka shkuar në dhjetë numrin e viktimave nga sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit.

    Po ashtu, autoritetet kanë ulur numrin e personave të zhdukur në atë vend, i cili më parë mendohej të ishte në dhjetëra. Aktualisht, shtatë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nën rrënojat e ndërtesave të goditura nga raketat iraniane gjatë natës.

    Komandanti rajonal i policisë, Daniel Hadad, u tha gazetarëve se “mund të duhen ditë” për të përfunduar kërkimet.

    “Këtu ka shkatërrim të madh, shumë rrënoja dhe mbeturina që duhet të hiqen për të gjetur të zhdukurit,” tha ai, sipas Times of Israel./Reporteri.net/

    Izraeli rrëzon shtatë dronë të lëshuar nga Irani

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 8:28

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se shtatë dronë janë lëshuar drejt territorit izraelit gjatë orës së fundit, përcjell Reporteri.net.

    Sipas IDF, dronët janë ndërprerë dhe rrëzuar nga Forcat Ajrore të Izraelit dhe Marina Izraelite.

    Pamjet e publikuara nga IDF tregojnë një shpërthim në qiell, që sipas tyre është momenti i interceptimit të një droni.

    Trump paralajmëron se e gjithë fuqia e ushtrisë amerikane do të bie mbi Iranin nëse SHBA-ja sulmohet

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 8:07

    Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA nuk është e përfshirë në konfliktin më të fundit mes Izraelit dhe Iranit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    “SHBA nuk kishte asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit, sonte,” ka shkruar Trump në një postim në Truth Social.

    Irani ka paralajmëruar SHBA-në dhe aleatët e saj që të mos ndihmojnë Izraelin në ndalimin e sulmeve hakmarrëse të Teheranit, por Trump kishte dhe nje mesazh për këtë.

    “Nëse do të sulmohemi në çfarëdo forme apo mënyre nga Irani, e gjithë fuqia dhe forca e Forcave të Armatosura të SHBA-së do të bjerë mbi ju në nivele që nuk janë parë kurrë më parë,” shton Trump.

    “Megjithatë, ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit dhe ta përfundojmë këtë konflikt të përgjakshëm!!!”, përfundoi postimin e tij Trump./Reporteri.net/

    Shkon në katër numri i të vdekurve në Izrael pas sulmit të Iranit, 99 të plagosur

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 7:56

    Katër persona janë konfirmuar të vdekur pas një sulmi në Izraelin qendror.

    Të katër viktimat janë: një grua rreth të 60-ave, një grua në të 80-at, një djalë rreth 10 vjeç dhe një vajzë e vogël.

    Ndërkohë, Shërbimi emergjent i Izraelit-MDA njofton se po trajton 99 persona të plagosur – katër prej tyre janë në gjendje të rëndë.

    Në të njëjtën kohë, Izraeli ka ndërmarrë sulme ndaj Iranit – por ende nuk ka të dhëna për viktima atje.

    Raportimet nga Irani tregojnë se autoritetet kanë vendosur kufizime të gjera në internet pas sulmeve izraelite./BBC/Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!