Derisa gradualisht janë duke u zbutur masat e vëna në luftimin e epidemisë së virusit SARS-CoV-2, Gjermania në të njëjtën kohë është duke ndërmarrë masat për përmirësimin e kapaciteteve në luftimin kundër valës së dytë të coronavirusit.
Me ndihmën e ushtrisë gjermane po rinovohet hapësira e dedikuar për panaire në Berlin, me qëllim që për disa javë të shndërrohet dhe të jetë i hapur si një spital që do të mund të pranojë njëmijë pacientë, transmeton Telegrafi.
Kancelarja gjermane Angela Merkel vazhdimisht po ripërsërit që Gjermania nuk ka nevojë të pushojë, pavarësisht se përqindja e të infektuarve të rinj me COVID-19 ka rënë.
Në anën tjetër virusologu Kristian Drosten nga spitali Sharite në Berlin, paralajmëron që virusi në valën e dytë do të shfaqet në shtator dhe do të mund të sulmonte “me një forcë krejt ndryshe”.
“Virusi do të vazhdojë të përhapet në javët dhe muajt e ardhshëm”, ka deklaruar Drosten për televizionin publik NDR, duke shtuar se vala e dytë do të jetë më e rrezikshme sepse do të shfaqet “kudo në të njëjtën kohë”.
Për këtë, Gjermania që ka sistem të zhvilluar të shëndetësisë dhe ka kapacitete të mjaftueshme për të kryer testime, vazhdon të investojë në rritjen e numrit të shtretërve të pajisur me respiratorë.
Në spitalin e Ahenit, përgjatë kufirit me Holandën, tashmë janë bërë gati dhjetëra shtretër për valën e re të infeksionit. E gjatë numërimit të fundit, është konstatuar se nga numri total i shtretërve në repartin e kujdesit intensiv prej 32 mijë, aktualisht janë 13 mijë të lirë.
Gjermania prej fillimit të krizës ka pasur dukshëm më shumë shtretër me respiratorë sesa fqinjët e saj evropianë (33,9 në 100 mijë banorë, derisa në Itali ishte 8,6 e në Francë 16,3).
Pas shpërthimit të epidemisë, Gjermania përveç kësaj ka zgjeruar kapacitetet e saj sa i përket kujdesit intensiv dhe tani po bëhet gati për një valë të re të mundshme.
Përqindja e vdekjeve nga coronavirusi në Gjermani aktualisht është 3.5 për qind, kurse sipas të dhënave më të fundit, ekzistojnë 150.383 raste të konfirmuara me COVID-19 si dhe 5.321 tjerë që kanë humbur jetën.
E ky numër po vazhdon të rritet, por megjithatë është dukshëm më i ulët sesa në vendet si Spanja e Italia, ku përqindja e vdekjeve sillet dikur rreth 10 për qind.