×
  • Lajme
  • Botë

    Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Trump për të ndalur dhënien e dënimit nga një gjykatë në New York

    Reporteri
    10 Janar 2025 | 9:01

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë të enjten kërkesën Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndalur dhënien e dënimit nga një gjykatë në shtetin e Nju Jorkut për për veprat penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit.

    Gjykata me një vendim 5-4 mohoi kërkesën e bërë në momentet e fundit nga avokatët e Trump për të frenuar dhënien e dënimit, të planifikuar për të premten në orën 9:30 të mëngjesit në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut në Manhatan. Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts dhe kolegia e tij konservatore, Amy Coney Barrett iu bashkuan tre anëtarëve liberalë të gjykatës – Sonia Sotomayor, Elena Kagan dhe Ketanji Brown Jackson – në votimin kundër kërkesës së Trump.

    Gjykatësi i çështjes së zotit Trump, Juan Merchan, tha javën e kaluar se ai nuk ishte i prirur ta dënonte me burg presidentin e zgjedhur republikan dhe ka të ngjarë ta lirojë atë pa kushte. Kjo do të thotë se vendimi për ta shpallur atë fajtor për akuzat penale do të jetë pjesë e dokumenteve të gjykatës, por ai nuk do të marrë dënim me burg, gjobë apo lirim me kusht.

    Katër gjykatës konservatorë – Clarence Thomas, Samuel Alito, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – votuan në favor të kërkesës së Trump.

    Gjykata e Lartë mori për shqyrtim kërkesën e zotit Trump për të ndalur dhënien e dënimit pasi ajo u refuzua nga Gjykata e Lartë e shtetit të Nju Jorkut të enjten.

    Ish-presidenti Trump u shpall fajtor nga një juri më 30 maj të vitit 2024 për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

    Daniels pretendon se pati një marrëdhënie seksuale me Trump në vitin 2006 pasi e takoi në një turne golfi në Lake Tahoe. Ish-presidenti Trump e ka mohuar vazhdimisht këtë pretendim.

    Prokurorët thonë se pagesa për Daniels ishte pjesë e një skeme më të gjerë për të blerë heshtjen e personave që mund të dilnin publikisht gjatë fushatës elektorale me histori turpëruese për marrëdhënie jashtëmartesore. Prokurorët thanë se ish-avokati i Trump, Michael Cohen, i bëri pagesat për Daniels dhe se më vonë ai rimbursua nga Trump, kompania e të cilit i regjistroi pagesat si shpenzime ligjore.

    Falsifikimi i të dhënave të biznesit ndëshkohet me deri në katër vite burgim. Trump është ish-presidenti i parë amerikan që është shpallur fajtor për një vepër penale./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!