×
  • Lajme
  • -->
    Botë

    Gjykata urdhëron rinumërimin e votave në rundin e parë të zgjedhjeve në Rumani

    Reporteri
    28 Nëntor 2024 | 20:47

    Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka urdhëruar rinumërimin e votave të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në vend, të cilin e fitoi befasisht kandidati i ekstremit të djathtë.

    Kushtetuesja tha në një komunikatë më 28 nëntor se ka “urdhëruar njëzëri rishikimin dhe rinumërimin e votave për zgjedhjet presidenciale të 24 nëntorit”.

    Gjykata në Bukuresht tha se vendimi i saj është përfundimtar.

    Komisioni Qendror Zgjedhore do të takohet më vonë gjatë ditës për të diskutuar për vendimin e gjykatës.

    Calin Georgescu, kandidati i pavarur dhe prorus i ekstremit të djathtë, shënoi fitore befasuese në rundin e parë të zgjedhjeve, duke i marrë afro 23 për qind të votave.

    Georgescu pritet të përballet me Elena Lasconin, kandidaten e qendrës së djathtë dhe mbështetësen e fuqishme të integrimit euro-atlantik, në balotazhin e 8 dhjetorit, pasi që të dy morën më shumë vota se kryeministri majtist dhe favoriti, Marcel Ciolacu.

    Pa përkrahjen e asnjë partie politike, fushata e Georgescut u mbështet kryesisht në platformën sociale TikTok, ku llogaria e tij kishte 1.6 milionë pëlqime.

    Përveçse shprehte pikëpamjet e tij politike, Georgescu e përdorte gjithashtu TikTok-un për të postuar video ku shihej duke shkuar në kishë, duke bërë xhudo dhe duke vrapuar në pistë.

    Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë deklaroi pas vendimit të gjykatës se ka gjetur prova se “sulme kibernetike” ishin përdorur për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

    Pa e përmendur me emër Calin Georgescun, këshilli akuzoi gjithashtu se platforma TikTok kishte dhënë “trajtim të favorizuar” për një kandidat të caktuar.

    Presidenti i Rumanisë ka kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse, përfshirë per çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.

    I zgjedhur për një mandat pesëvjeçar, presidenti gjithashtu ka pushtet të mos i pranojë kandidaturat partiake për kryeministër dhe emërimet qeveritare për poste gjyqësore./REL

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!