Forcat amerikane dhe aleatët e saj goditën më shumë se 60 objektiva në 16 lokacione të përdorura nga rebelët Houthi në Jemen, njoftuan Forcat Ajrore të SHBA-së.
Këto përfshijnë nyjet e komandës dhe kontrollit, depot e municioneve, sistemet e lëshimit, objektet e prodhimit dhe sistemet e radarëve të mbrojtjes ajrore, tha SHBA në një deklaratë të enjten vonë.
Më shumë se 100 municione të drejtuara me saktësi u përdorën në sulme.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj partnerëve tanë kritikë në të gjithë Lindjen e Mesme për t’u mbrojtur kundër grupeve të milicisë të mbështetur nga Irani, duke përfshirë militantët Houthi, dhe kërcënimin që ata paraqesin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal,” tha Komandanti Qendror i Forcave Ajrore të SHBA-së, gjeneral-lejtant Alex Grynkewich.
Presidenti amerikan, Joe Biden tha se ai urdhëroi sulmet “në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedentë të Houthi kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq”.
“Sot, në drejtimin tim, forcat ushtarake të SHBA-së – së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës – kryen me sukses sulme kundër një numri objektivash në Jemen të përdorura nga rebelët Houthi për të rrezikuar lirinë e lundrimit në një nga rrugët ujore më vitale në botë”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak gjithashtu njoftoi për sulmet ndaj grupit Houthi.
Ai tha se sulmet e groupit Houthi kanë rrezikuar personelin amerikan, marinarët civilë dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara, kanë rrezikuar tregtinë dhe kanë kërcënuar lirinë e lundrimit. /Reporteri.net/
SHBA dhe Britania ndërmarrin goditje masive kundër rebelëve Houthi në Jemen