×
  • Lajme
  • Botë

    Goditet një ndërtesë banimi në Odesë, Rusia vazhdon ta bombardojë Ukrainën

    Reporteri
    22 Prill 2025 | 16:32

    Një sulm me dronë nga forcat ruse ka goditur një ndërtesë banimi në qytetin e Odesës në Ukrainë, në një zonë të dendur me popullsi, duke lënë të lënduar të paktën tre banorë, përfshirë një fëmijë.

    Sulmi u krye gjatë një periudhë kur po vazhdojnë tentimet diplomatike për ta siguruar një armëpushim për luftën në Ukrainë, pas pushtimit të paprovokuar nga Rusia në vitin 2022.

    Kryetari i komunës së Odesës, Hennadiy Trukhaniv, shkroi në rrjetet sociale më 22 prill se shumë apartamente janë dëmtuar dhe se “banorët janë në shok.”

    Shërbimet e emergjencës publikuan foto dhe video të ekipeve zjarrfikëse që luftonin zjarret në atë që u përshkrua si infrastrukturë civile.

    Në mbarë vendin, Forca Ajrore e Ukrainës raportoi dhjetëra sulme me dron gjatë natës.

    Në një deklaratë thuhej se “38 dronë Shahed janë rrëzuar në lindje, veri, jug dhe qendër të vendit”. Po ashtu u tha se janë kapur edhe 16 dronë të tjerë.

    Sulmet erdhën një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi se forcat e tij po sulmonin caqe civile në Ukrainë.

    Duke folur më 21 prill për një sulm në qytetin verior Sumi javën e kaluar, ku u vranë 35 persona, ai tha se caku ishte një ndërtesë civile — por se aty ndodheshin ushtarë.

    Pas sulmit, kreu i administratës ushtarake lokale ukrainase u shkarkua pas akuzave se kishte organizuar një ceremoni dekorimi ushtarak në qytet.

    Më 22 prill, autoritetet në Kiev raportuan gjithashtu dëme në shtëpi dhe automjete pas sulmeve të natës nga Rusia. Por, kreu i administratës ushtarake rajonale, Mykola Kalashnyk, tha se nuk ishte goditur asnjë cak i infrastrukturës kritike.

    “Gjashtë shtëpi private, katër makina, tre ndërtesa ndihmëse dhe tre garazhe u dëmtuan si pasojë e një sulmi armik. Ka pasur gjithashtu një zjarr në një kantier ndërtimi”, shkroi ai në Telegram.

    Më vonë, sirenat e alarmit ajror u dëgjuan sërish në mes të raportimeve të reja për praninë e dronëve rusë.

    Rusia gjithashtu kreu sulme të gjera me raketa të hënën e Pashkëve, më 21 prill, pas përfundimit të një armëpushimi 30-orësh të shpallur prej saj. Kievi pretendoi se forcat ruse e shkelën armëpushimin 3.000 herë.

    Më 22 prill, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, e hodhi poshtë armëpushimin si një “operacion marketingu” nga Putini, i cili synonte kryesisht presidentin amerikan, Donald Trump, që është shprehur i irrituar për vazhdimin e sulmeve ruse, ndërsa ai shtyn përpjekjet diplomatike për të arritur një armëpushim.

    “Armëpushimi i Pashkëve, i cili u shpall disi papritur, ishte një operacion marketingu, një operacion simpatik, që synonte të ndalonte padurimin dhe zemërimin e presidentit Trump”, u citua të thoshte Barrot nga agjencia e lajmeve AFP në televizionin FranceInfo.

    Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tha se kishte biseduar me Barrot një natë më parë për të koordinuar qëndrimet përpara një takimi në Londër më 23 prill.

    Takimi në Londër ka për qëllim të mbledhë së bashku Britaninë, Francën, Gjermaninë, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara, pas një mbledhjeje në Paris më 18 prill — bisedimet e para të përbashkëta në këtë format që prej marrjes së detyrës nga Trumpi.

    Barrot tha për FranceInfo se vendet evropiane përdorën atë takim për t’i komunikuar Uashingtonit vijat e tyre të kuqe për një marrëveshje. Trump ka thënë se shpreson që një marrëveshje të përfundojë këtë javë, gjë që shumë vëzhgues e shohin si tepër ambicioze.

    Por, si një tjetër shenjë që diplomacia po merr vrull, Putini tha më 21 prill se ishte gati për bisedime të drejtpërdrejta me Zelenskyn – diçka që ai e kishte refuzuar deri kohët e fundit.

    Kjo u prit me skepticizëm nga analisti politik ukrainas, Ihor Reiterovich, i cili i tha Current Time të Radios Evropa e Lirë se ishte “manipulim standard – një përpjekje për ta paraqitur Rusinë si forcë paqeruajtëse, gjë që në fakt duket tepër cinike”./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!