Me ardhjen e janarit shumë diplomatë amerikanë përtej oqeanit mund të nisin t’i paketojnë gjësendet e tyre bashkë me presidentin Donald Trump.
Të gjithë ambasadorëve të SHBA-së, emisarëve në rreth 200 vende dhe organizata, si OKB, NATO, BE, u kërkohet formalisht t’i paraqesin dorëheqjet e tyre menjëherë pas zgjedhjes së presidentit të ri, raporton REL-i në gjuhën angleze.
Megjithatë, dorëheqjet e paraqitura nga profesionistë të karrierës në shërbim të huaj, si rregull, nuk pranohen. Ata zakonisht vazhdojnë të shërbejnë derisa të përfundojnë periudhën e tyre trevjeçare.
Por është tjetër rast për ata që njihen si të emëruar politikë – ambasadorë të zgjedhur direkt nga Shtëpia e Bardhë.
Administratat presidenciale të SHBA-së shpërndajnë listën e ambasadorëve, duke ua dorëzuar disa anëtarëve që kanë shërbyer për një kohë të gjatë në Departamentin e Shtetit dhe të tjerat njerëzve që mbështetën fushatën zgjedhore të presidentit, të tilla si këshilltarë të politikës ose donatorë të papaguar, disa prej të cilëve mund të mos kenë përvojë diplomatike ose jashtë shtetit.
Këta të emëruar politikë shpesh caktohen në “vende të rehatshme” në Evropë, Azi dhe disa në Amerikën e Jugut, tha John Herbst, një oficer në pension i karrierës, i cili shërbeu si ambasador në Ukrainë dhe Uzbekistan. Disa mund të caktohen gjithashtu si ambasadorë në organizata si NATO dhe BE.
“Duke pasur parasysh mënyrën e funksionimit të sistemit tonë politik, kandidatët për president kërkojnë mijëra profesionistë politikë, të cilët nuk i paguajnë, kështu që ata mund të thonë ‘kemi borxhe’”, thotë për REL-in Herbst, i cili tani është një analist në “think tank” në Washington.
Kjo praktikë nuk aplikohet nga shumica e vendeve. Disa qeveri të huaja mund të zhgënjehen kur pranojnë ambasadorë që u mungon përvoja diplomatike, thotë William Courtney, oficer karriere i shërbimit të huaj, i cili ishte ambasadori i parë i SHBA-së në Kazakistan, transmeton “Zeri.info”.
Çështja e të emëruarve politikë u përfol shumë në 2019-n, kur ambasadori amerikan në BE, Gordon Sondland, u përfshi në hetimin për “impeachment” për të kuptuar nëse Trumpi i kishte bërë presion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, për të gërmuar papastërtitë mbi Joe Bidenin, tani president i zgjedhur dhe djalin e tij Hunter.
Sondland, pronar i suksesshëm i një zinxhiri hotelesh, u emërua ambasador më 2018-n pasi dhuroi 1 milion dollarë për komitetin inaugurues të Trumpit. Si, bashkë me emisarin special të asaj kohe në Ukrainë Kurt Volker dhe sekretarin e Energjisë Rick Perry, ndonjëherë quheshin “Three Amigos” dhe akuzoheshin nga kritikët për zbatim të një politike nënë hije në Ukrainë, që kishte për qëllim të ndihmonte Trumpin politikisht.
Vendet e prekura
Shumë vende mund të përballen me ambasadorë të rinj më 2021-n.
Ambasadorët amerikanë në Hungari, Rumani, Rusi, Turkmenistan dhe Uzbekistan janë të emëruar politikë që me gjasë do të zëvendësohen nga administrata “Biden”.
Ambasadorët në Kosovë, Kirgistan dhe Moldavi janë oficerë karriere në shërbim të jashtëm, mandatet trevjeçare të të cilëve përfundojnë vitin e ardhshëm.
Në ndërkohë, SHBA-ja nuk ka ambasadorë në vende si Afganistan, Bjellorusi, Pakistan dhe Ukrainë.
Administrata “Trump” ka nominuar disa persona për këto pozita të hapura dhe disa nga ta madje kanë dëshmuar para Senatit.
Julie Fisher, që u nominua për të qenë ambasadorja e radhës në Bjellorusi, është e vetmja oficere karriere në shërbim të jashtëm e nominuar nga të katërtit, dhe procesi i konfirmimit të saj mund të shkojë tutje pavarësisht nga përmbysjet politike në ish-Republikën Sovjetike.
Edhe pse i nominuari nga administrata “Trump” për Ukrainë, Keith Dayton, është i caktuar politik, Herbsti dhe Courtney thonë se ai mund të shkojë tutje për t’u bërë ambasador edhe në administratën “Biden”.
Dayton, një gjenerallejtënant amerikan në pension, që ka studiuar në Rusi, ka shërbyer si këshilltar i mbrojtjes për qeverinë ukrainase që nga viti 2018.
Veç 189 ambasadorëve, SHBA-ja ka edhe shumë emisarë specialë për rajone ose çështje specifike, si i dërguar për Ballkanin Perëndimor, për bisedimet Kosovë-Serbi dhe ai për bisedimet paqësore në Afganistan.
Richard Grenell, i dërguar presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi, pritet ta humbë pozitën e tij për shkak të raporteve të tij të afërta me Trumpin.
Zalmay Khalilzad, emisar në bisedimet për paqe në Afganistan, ka një karrierë të gjatë në diplomacinë publike, por edhe ai sipas të gjitha gjasave do ta humbë pozitën e tij për shkak të lidhjeve me Partinë Republikane, thanë Courtney dhe Neumanni.