×
  • Lajme
  • Botë

    Greqia dhe Turqia shqyrtojnë mundësinë e fillimit të bisedimeve për zonat detare

    Reporteri
    25 Shtator 2024 | 19:40

    Greqia dhe Turqia janë duke e shqyrtuar fillimin e bisedimeve për të përcaktuar vijat kufitare në zonat detare, tha të mërkurën ministria e jashtme e Greqisë.

    Dy vendet fqinje, anëtare të NATO-s, kanë mosmarrëveshje prej dekadash për një sërë çështjesh, nga hapësira ajrore, deri te juridiksioni detar në Mesdheun lindor dhe Qipron e ndarë sipas vijave etnike.

    Një marrëveshje se ku fillojnë dhe mbarojnë zonat e tyre detare është e rëndësishme për përcaktimin e të drejtave mbi rezervat e mundshme të gazit.

    Tensionet janë zbutur vitet e fundit dhe të dy vendet ranë dakord vitin e kaluar të mbajnë kanale të hapura komunikimi dhe të punojnë për çështjet që kanë shkaktuar mosmarrëveshje.

    Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk Tajip Erdogan u takuan të martën gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ata diskutuan për lidhjet dypalëshe, sipas deklaratave nga presidenca turke dhe ministria e jashtme greke.

    “Të dy vendet ngarkuan ministrat e jashtëm të shqyrtojnë nëse kushtet janë të favorshme për të nisur diskutimet mbi përcaktimin e vijave kufitare në zonat detare”, tha ministri i jashtëm grek George Gerapetritis.

    Ministrat e Jashtëm nga të dy vendet do të fillojnë përgatitjet për një takim të nivelit të lartë që do të zhvillohet në Ankara në muajin janar, tha zyra e kryeministrit grek./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!