×
  • Lajme
  • Botë

    Greqia në betejë me flakët

    Reporteri
    09 Gusht 2021 | 13:09

    Këto pamje me dron tregojnë qindra hektarë me pisha të djegura dhe shtëpi të shkrumbuara në kodrat pranë Athinës.


    Zjarret kanë përfshirë prej ditësh ultësirën e malit Parnitha të një mali plot me pisha në veri të Athinës ku pas përpjekjeve të zjarrfikëseve nga toka dhe ajri flakët u shuan.

    Gjithsesi kushtet e motit paralajmërojnë ende një kërcënim të lartë që flakët mund të rikthehen përsëri.

    Trajtimi i kësaj vale të re krizash do të jetë një tjetër betejë e vështirë pasi mjetet ekzistuese të shuarjes së zjarrit dhe veçanërisht ato ajrore mbeten të pamjaftueshme pavarësisht faktit se ato janë përforcuar në raport me vitet e mëparshme pasi dhe shumë vende fqinje përballen me probleme të ngjashme me zjarret. Sa i përket përgjegjësisë së qeverisë për katastrofën e fundit natyrore, tha Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, koha për autokritikë do të vijë mjaft shpejt.

    Qeveria u godit nga partitë dhe kritikët e opozitës, veçanërisht për përgjigjen e vonuar të aparatit shtetëror gjatë rindezjes së zjarreve në Atikë. Ndërsa pranuan se forcat e zjarrfikësve ishin të kufizuara, zyrtarët shtetërorë vunë në dukje se flakët në ishujt Evia dhe Ilia dolen jashtë kontrollit dhe nuk ishte e mundur qe të mbaheshin forca rezervë në gatishmëri duke pasur parasysh se situata rreth Athinës në atë kohë dukej se ishte vendosur përkohësisht, nën kontroll relativ.

    Ata këmbëngulën që të gjitha mjetet e shuarjes së zjarrit ishin dhënë me qira në kohë për periudhën e shuarjes së zjarrit. Gjithsej 31 avionë që lëshojnë ujë janë dhënë me qira me një kosto prej 49,149,200 euro, pa përfshirë koston e vendosjes së tyre, e cila parashikohet të jetë e njëjta shumë. Në vitin 2020 gjithsej 21 avionë u morën me qira me një çmim, pa kosto fluturimi, në vlerë prej 31,565,000 euro.

    Mijëra vetë kanë humbur shtëpitë e tyre, ndërsa vendi vijon që të përballet me temperatura 40 deri në 45 gradë Celsius. Ndërkohë qindra zjarrfikës luftojnë me ndihmë nga Franca, Suedia, Rumania, Qiproja e Zvicra kundër zjarreve masive.

    Autoritetet greke po vazhdojnë përballjen me zjarre në ishullin Evia ku më shumë se 2,000 njerëz tashmë janë zhvendosur nga banesat e tyre.

    Zyrtarët lokalë thanë se disa pjesë të ishullit tashmë janë shkatërruar derisa u ankuan se nuk ishte dërguar ndihmë e mjaftueshme për të shuar zjarret.

    Greqia po përballet me valën e saj më të rëndë të të nxehtit në 30 vitet e fundit. Temperaturat kanë shkuar deri në 45 gradë Celsius. Ndërkaq flakët në Greqi kanë shkaktuar shqetësim edhe në SHBA ku senatorë të ndryshëm i kanë kërkuar administratës Biden të përmbushë kërkesat shtesë për ndihmë nga shteti helen përfshirë dërgimin e helikopterëve CH-47.

    Klan News

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!