Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, ka kërkuar nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe liderët e tjerë botërorë që të bëjnë më shumë për mjedisin pasi e udhëhoqi një protestë me gjysmë milioni njerëz në Montreal si pjesë e valës botërore të protestave kundër ndryshimeve klimatike.
Nxënësja 16 vjeçe u takua privatisht me kryeministrin kanadez, ndërsa më vonë, gjatë një konference për gazetarë, tha se ai nuk është duke bërë sa duhet për ta penguar lirimin e gazrave, të cilat janë përgjegjëse për ngrohjen globale.
“Porosia ime për të gjithë politikanët përreth botës është e njëjta. Vetëm dëgjoni dhe veproni sipas rezultateve më të mira dhe më të reja të shkencës”, tha ajo.
Aktivistja u bë lajm në faqet e para të gazetave në mbarë botën me deklaratën e saj të famshme në samitin për klimën në Kombet e Bashkuara, ku i akuzoi liderët botërorë për tradhti ndaj gjeneratës së saj. Mes tjerash, ajo kishte thënë: “Si po guxoni?”
Ajo i ka frymëzuar miliona të rinj që të bëhen pjesë e protestave përmes stilit të retorikës së vendosur dhe karakterit të veçantë, që nuk është i zakonshëm për moshatarët e saj.
Në anën tjetër, kryeministri kanadez tha se pajtohet plotësisht me aktivisten Thunberg dhe u zotua se qeveria e tij do t’i mbjellë dy miliardë bimë, shkruan “The Guardian”.