×
  • Lajme
  • Botë

    Hamasi e Izraeli këmbëngulin në kushtet e tyre për armëpushim

    Reporteri
    02 Korrik 2025 | 23:10

    Hamasi dhe Izraeli shprehën qëndrimet e tyre të mërkurën në prag të bisedimeve të reja për armëpushim në Gaza dhe pas thirrjes së Washingtonit për fundin e luftës.

    Ndërsa grupi militant la të kuptohet se është i hapur për marrëveshje, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se “nuk do të ketë më Hamas” në Gazën e pasluftës. Asnjëra palë nuk tha drejtpërdrejt se e pranon propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

    Hamas këmbëngul në qëndrimin e vet se çdo marrëveshje duhet të sjellë përfundimin e luftës në Gazë dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite.

    Trump tha të martën se Izraeli ra dakord për një armëpushim 60-ditor në Gazë dhe i bëri thirrje Hamasit ta pranojë marrëveshjen para se të përkeqësohen edhe më shumë kushtet për të. Presidenti amerikan ka rritur trysninë mbi qeverinë izraelite dhe Hamasin që të arrijnë armëpushimin.

    Sipas presidentit koha prej 60-ditësh do të përdoret për të punuar drejt përfundimit të luftës. Por, Izraeli thotë se nuk do ta pranojë përfundimin e luftës derisa Hamasi të mposhtet tërësisht. Presion do të ketë edhe gjatë vizitës së ardhshme të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump theksoi se marrëveshja mund të arrihet që javën e ardhshme.

    Por, reagimi i Hamasit, që theksoi kërkesën e vet për përfundimin e luftës, ngre pikëpyetje mbi fundin e luftës. Një delegacion i Hamasit pritet të takohet të mërkurën në Kajro me ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari për të diskutuar propozimin, sipas një zyrtari egjiptian që foli në kushte anonimiteti.

    Hamasi ka thënë se është i gatshëm t’i lirojë 50 pengjet e mbetur, më pak se gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë, në këmbim të tërheqjes së plotë të Izraelit nga Gaza dhe përfundimit të luftës.

    Izraeli thotë se do të pajtohet ta përfundojë luftën vetëm nëse Hamasi dorëzohet, çarmatoset dhe largohet në mërgim, diçka që Hamasi s’e pranon.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!