Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris thotë se kandidati për president, Donald Trump “do ta kthejë vendin tonë prapa”, duke folur në një tubim fushate në Milwaukee, Wisconsin, shkruan BBC, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Harris tha mes tjerash se ajo do të kalojë javët e ardhshme duke bashkuar Partinë Demokratike, duke shtuar “kështu që ne jemi gati të fitojmë në nëntor”.
Ajo iu drejtua votuesve për herë të parë që kur siguroi mbështetje të mjaftueshme për t’u bërë kandidatja e Partisë Demokratike për presidente.
Harris, mori mbështetjen e plotë edhe të presidentit Joe Biden.
Në anën tjetër, Kamala Harris po kryeson me 2% në sondazhin e ri, shkruan Reporteri.net.
“Zëvendëspresidentja Kamala Harris kryeson një sondazh kombëtar me 44% krahasuar me 42% të Donald Trump, sipas Reuters dhe Ipsos”, thuhet në raportin e sotëm të BBC.
Epërsia me dy pikë e Harris ndaj Trump krahasohet me deficitin prej dy pikësh të Presidentit Biden në një sondazh të publikuar javën e kaluar – përpara daljes së tij nga gara.
Sondazhi u krye të hënën dhe të martën e kësaj jave, pas Konventës Kombëtare Republikane, largimit të Biden dhe miratimit të tij të Harris si kandidate për presidente./Reporteri.net/.