×
  • Lajme
  • Botë

    Haxhi, pelegrinazhi islam që mbledh miliona besimtarë në Mekë

    Reporteri
    11 Gusht 2019 | 8:56

    Haxhi është një nga pesë shtyllat kryesore të fesë islame dhe njihet ndër tubimet më të mëdha fetare të përvitshme në botë.


    Miliona myslimanë nga i gjithë globi mësyejnë çdo vit Arabinë Saudite, për ta kryer këtë rit.

    Haxhi duhet të kryhet nga të gjithë myslimanët që kanë mundësi, të paktën një herë në jetën e tyre.

    Përbëhet nga një seri ritesh që kryhen gjatë pesë ditëve në qytetin më të shenjtë të islamit dhe rrethinat e tij në pjesën perëndimore të Arabisë Saudite.

    Pelegrinët myslimanë janë falur të shtunën në malin Arafat, të njohur edhe si Jabal al Rahma (Mali i Mëshirës), në juglindje të qytetit të shenjtë të Mekës.

    Arafati është vendi ku myslimanët besojnë se profeti Muhamed la amanetet e tij të fundit rreth 14 shekuj më parë, pasi udhëhoqi ndjekësit e tij në pelegrinazh.

    Pas perëndimit të diellit, haxhitë, nisen nga Arefati për në Muzdelife duke bërë dua, ku në këtë vend është e preferuar ta kalojnë natën, përveç atyre që janë të dobët, si të sëmurët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.

    Rrugës për në Mine, haxhitë nisen në drejtim të vendit të ashtuquajtur Xhemretul Akabes (Xhemres së madhe) për të gjuajtur me guralecë të cilët preferohet t`i mbledhin në Muzdelife. Kjo në fakt simbolizon goditjen e shejtanit.

    Në ditën e parë të Bajramit, në Xhemretul Akabe hidhen shtatë guralecë. Gjatë gjuajtjes së guralecëve, haxhiu duhet të ketë kujdes që, edhe nëse nuk e qëllon Xhemren vendgjuajtjen, të paktën guraleci të arrijë brenda rrethit të saj.

    Në Mekë, ndodhet edhe Qabeja, që është epiqendra e islamit.

    Myslimanët e të gjithë botës, drejtohen nga qabeja kur falen dhe pelegrinët gjatë Haxhit duhet të rrotullohen shtatë herë rreth saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!