Në vitin 1980 Mike Wells bëri këtë fotografi të fuqishme të një misionari katolik duke mbajtur dorën e një djali të uritur në Uganda.
Në shikim të parë duket sikur dora nuk është e ndonjë qenie njerëzore. Duket sikur pothuajse bëhet fjalë për dorën e ndonjë të huaji në hapësirë, një specie tjetër, por jo dora e një qenieje njerëzore. Fatkeqësisht realiteti është se kjo është dora e një qenie të uritur, transmeton Reporteri.net.
Fotografi i pavarur Mike Wells shpjegoi për revistën Holland Herald, në një intervistë pasi fitoi çmimin World Press Photo of the Year, se në vitin 1980 ai ishte në Afrikë duke punuar për fondin Save the Children të Mbretërisë së Bashkuar. Wells e bëri këtë fotografi ndërsa ishte në një udhëtim në Ugandë, në një seminar ku Etërit Verona po shpërndanin ushqim gjatë ditëve të para të urisë. Njëri nga murgjit ia përshkroi situatën Wellsit dhe i tha që djali Karamojong ishte rreth katër vjeç.
Mungesa e ushqimit në Karamoja filloi në korrik 1978, pas thatësirës, kur kulturat bujqësore u shkatërruan. Duke mos qenë një rajon me rëndësi të madhe ekonomike ose politike për qeverinë Ugandane, administrata e Presidentit Idi Amin nuk ndërmori asnjë veprim pasi u alarmua për situatën po atë vit. Pas rrëzimit të Aminit në vitin 1979, luftëtarët Karamojong fituan një sasi të madhe armësh dhe municionesh.
Për më tepër, pasiguria kombëtare shkaktoi një ndarje të plotë të tregtisë. Familjet filluan të mbesin pa ushqim në fillim të vitit 1980. Situata u bë kritike në maj dhe uria arriti kulmin në korrik dhe gusht të të njëjtit vit. Në korrik, Etërit Verona në Karamoja apeluan në Programin Botëror të Ushqimit në Romë për ndihmë urgjente. Aktivitetet misionare katolike kishin filluar në rajon në 1933, me Kishën Katolike ofrimin e ndihmës gjatë periudhave të urisë që nga vitet ’60.
Fotografi Mike Wells, i cili më vonë do të fitonte çmimin World Press Photo Award për këtë foto, pranoi se kishte turp të shkrepte fotografinë e cila hyri përgjithmonë në histori. /Reporteri.net