Dy fëmijë të vegjël, vëlla e motër, të ngujuar nën beton nga mbetjet e shtëpisë së tyre në Sirinë veriore u shpëtuan pas më shumë se 36 orësh. Familja e tyre po flinte derisa tërmeti vdekjeprurës goditi Turqinë e u shpërnda edhe në Siri.
“Më largoni nga këtu, unë do të bëj gjithçka për ju”, u thoshte vajza shpëtimtarëve që shihen në video pranë rrënojave të shtëpisë së dy fëmijëve në Besnaya-Bseineh, një fshat i vogël në Siri, raporton CNN, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Vajza quhet Mariam dhe ajo përkëdhel butësisht flokët në kokën e vëllait të saj më të vogël, ndërsa shtrihen të shtrënguar së bashku në atë që mund të jenë mbetjet e shtratit të tyre.
Ajo është në gjendje ta lëvizë krahun e saj aq sa të mbulojë fytyrën e vëllait të saj, duke siguruar njëfarë mbrojtjeje nga pluhuri mes mbeturinave.
Djali më i vogël quhet Ilaaf. Sipas babait të tyre, Ilaaf është emër islamik që do të thotë mbrojtje.
Babai, Mustafa Zuhir Al-Sayed, thotë se gruaja dhe tre fëmijët e tij ishin duke fjetur në orët e para të së hënës kur toka u lëkund nga një tërmet 7.8 ballësh.
“Ne ndjemë tokën duke u dridhur… dhe rrënojat filluan të binin mbi kokën tonë dhe ne qëndruam dy ditë nën rrënoja,” tha ai. “Kemi kaluar, një ndjenjë që shpresoj askush mos ta ndjejë”.