×
  • Lajme
  • Botë

    Hong Kongu përjashton katër ligjvënës që apelonin për më shumë demokraci e liri

    Reporteri
    11 Nëntor 2020 | 12:05

    Katër ligjvënës që apelonin për më shumë demokraci, liri dhe pavarësi në Hong Kong janë përjashtuar pak orë pas miratimit të një rezolute të propozuar nga Kina.


    Të tjerë ligjvënës të opozitës pritet të japin dorëheqjen në formë proteste.

    Pekini kaloi të mërkurën një nismë ligjore e cila ndalon ligjvënësit e qytetit të mbajnë postin e tyre nëse bëjnë thirrje për pavarësi, refuzojnë të njohin sovranitetin që gëzon Pekini mbi Hong-Kongun, apo kërkojnë ndihmë nga shtetet ose aktorë të huaj për të ndërhyrë në punët e brendshme ose me akte të tjera që rrezikojnë sigurinë kombëtare.

    Sipas rezolutës, deputetët mund të përjashtohen edhe pa iu drejtuar gjykatës.

    “Kushdo që angazhohet në akte të tilla nuk mund të pritet të respektojë ligjin dhe as të kryejë detyrat e ligjvënësit. Na duhet një organ politik i përbërë nga patriotë. Edhe pse i mirëpresim opinionet ndryshe, ato duhet të shprehen me përgjegjësi,” sqaroi kryeqeveritarja e Hong-Kongut.

    Opozita për demokraci mban 19 nga 70 vendet që numëron organi legjislativ i qytetit gjysmautonom kinez.

    Vitin e kaluar, ata dhe qytetarët protestuan për muaj me radhë pikërisht kundër ligjit të Kinës për Sigurinë Kombëtare që druhet se po përdoret për të shtypur zërat opozitarë.

    Të hënën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj katër zyrtarëve kinezë për rolin e tyre në mohimin e lirive dhe të drejtave politike të qytetarëve dhe ligjvënësve.

    Hong-Kongu ka qenë koloni britanike por nga viti 1997 territori qeveriset sipas parimin “një shtet, dy sisteme” deri sa t’i kalojë përfundimisht Kinës në vitin 2047.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!