×
  • Lajme
  • Botë

    Irani thotë se ka informacione të inteligjencës për të goditur Izraelin në rast sulmi

    Reporteri
    09 Qershor 2025 | 22:29

    Trupi më i lartë i sigurisë në Iran tha më 9 qershor se, duke u bazuar në informacionet e inteligjencës që kishte siguruar për objektet bërthamore izraelite, forcat iraniane mund të kryejnë kundërsulme në rast se Izraeli sulmon Republikën Islamike.

    Izraeli ka paralajmëruar vazhdimisht se mund të godasë objektet bërthamore iraniane, duke u zotuar se do ta ndalojë armikun e tij të përbetuar që të posedojë një bombë bërthamore. Teherani vazhdimisht e ka mohuar se synon të ketë një armë të tillë.

    Paralajmërimet izraelite janë përshkallëzuar që kur Teherani dhe Uashingtoni filluan bisedimet për çështjet bërthamore në prill.

    Një grumbull informacionesh të inteligjencës, që Irani pretendon se i ka siguruar, “do t’u mundësonte luftëtarëve të Islamit të godasin menjëherë objektet e fshehura bërthamore të [Izraelit], si përgjigje ndaj çdo sulmi të mundshëm nga regjimi sionist ndaj objekteve bërthamore të Iranit”, thuhet në një deklaratë të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Republikës Islamike.

    Po ashtu, ky këshill tha se Irani do të përgjigjet në një mënyrë “saktësisht proporcionale” ndaj çdo sulmi izraelit mbi infrastrukturën e tij ushtarake apo ekonomike.

    Të shtunën, mediat shtetërore iraniane raportuan se Teherani kishte siguruar një sasi të madhe informacioni “strategjik dhe të ndjeshëm” izraelit përmes një operacioni të fshehtë, përfshirë dosje që lidhen me objektet bërthamore të padeklaruara të Izraelit dhe planet e tij mbrojtëse.

    Ministri iranian i Inteligjencës, Esmail Khatib, më pas tha se dokumentet e konfiskuara përfshijnë edhe informacion që ka të bëjë me shtetet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se këto informacione “do të publikohen së shpejti”.

    Të hënën, kreu i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Salami, tha se ky informacion do ta bëjë “më të saktë goditjen e raketave iraniane” në rast të një konfrontimi.

    Irani dhe Izraeli kanë zhvilluar prej vitesh një “luftë në hije”, me Teheranin që e akuzon Izraelin për një seri sulmesh sabotuese dhe vrasjesh që kanë pasur në shënjestër programin bërthamor iranian.

    Të dy palët shkëmbyen për herë të parë sulme të drejtpërdrejta vitin e kaluar.

    Rafael Grossi, kreu i agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara, tha të hënën se agjencia që ai udhëheq nuk kishte pasur “asnjë komunikim zyrtar” lidhur me inteligjencën që thuhet se Irani ka siguruar.

    Duke folur në një takim të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi tha se informacioni “duket se i referohet Sorekut”, një “reaktor kërkimor dhe një qendër kërkimore” izraelite që monitorohet nga agjencia e OKB-së./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!