×
  • Lajme
  • Botë

    Irani u ofron inspektorëve ndërkombëtarë qasje në lokacionet bërthamore

    Reporteri
    26 Gusht 2020 | 21:24

    Irani ra dakord që t’iu ofrojë inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) qasje në dy lokacione të dyshuara bërthamore.


    Marrëveshja u arrit gjatë vizitës në Teheran të drejtorit të përgjithshëm të ANEB-it.

    Agjencia e ka kritikuar Iranin që nuk u është përgjigjur pyetjeve të saj në lidhje me materialin e mundshëm të padeklaruar bërthamor dhe aktivitetet e mundshme bërthamore në dy lokacione.

    Mendohet se aktivitetet janë zhvilluar shumë kohë para vitit 2015, kur Irani ka nënshkruar një marrëveshje me fuqitë globale për kufizimin e programit të tij bërthamor.

    Irani këmbëngul se nuk ka bërë kurrë përpjekje për zhvillimin e armëve bërthamore, por provat e mbledhura më herët nga ANEB-i kanë sugjeruar se deri në vitin 2003, ai ka kryer “një sërë aktivitetesh për zhvillimin e një pajisjeje plasëse bërthamore”.

    Drejtori i përgjithshëm i ANEB-it, Rafael Grossi, shkoi në Teheran të hënën për bisedime me kreun e Organizatës së Iranit për Energji Bërthamore, Ali Akbar Salehi.

    Të mërkurën, ata njoftuan se “kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen me mirëbesim të çështjeve të specifikuara nga ANEB-i”.

    “Irani i siguron vullnetarisht ANEB-it qasje në dy lokacionet e përcaktuara nga ANEB dhe i lehtëson aktivitetet e verifikimit të kësaj agjencie”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!