×
  • Lajme
  • Botë

    Ish kryeministri i Japonisë në gjendje të rëndë pasi u qëllua me armë zjarri

    Reporteri
    08 Korrik 2022 | 10:37

    Zyrtarët japonezë thanë se Shinzo Abe, ish-kryeministri me ndikim i Japonisë, është në gjendje të rëndë, pasi u qëllua në gjoks gjatë një fjalimi të premten.

    Kryeministri Fumio Kishida tha në një paraqitje emocionale para gazetarëve se punonjësit mjekësorë po përpiqen t’i shpëtojnë jetën ish kryeministrit Abe.

    Më herët të premten, ish kryeministri Abe po fliste në një fushatë jashtë një stacioni treni në qytetin Nara, në lindje të Osakës, kur një burrë i armatosur iu afrua nga prapa.

    Pas dy të shtënave, zoti Abe ra përtokë i përgjakur. Në videot e postuara në rrjetet sociale duken të pranishmit që po përpiqeshin ta ndihmonin ish kryeministrin e shtrirë përtokë.

    Ish kryeministri 67 vjeçar u dërgua në spital, ku sipas medias vendase përjetoi një arrest kardiak.

    Transmetuesi japonez NHK tha se sulmuesi i dyshuar, një 41-vjeçar nga Nara, është arrestuar. Ai tha se burri shërbeu tre vjet në Forcat Japoneze të Vetëmbrojtjes, por nuk raportoi asgjë për ndonjë motiv. Transmetuesi tha se arma e përdorur prej tij dukej se ishte e improvizuar.

    Zoti Abe po fliste në një ngjarje të vogël fushate para zgjedhjeve për dhomën e lartë të parlamentit të Japonisë dhe NHK raportoi që orari i veprimtarisë së tij ishte publikuar një ditë më parë.

    Kryeministri Kishida dënoi sulmin “barbar”, duke thënë se ai ndodhi gjatë zgjedhjeve që janë në zemër të demokracisë japoneze, por nuk pranoi të komentojë mbi ndikimet politike të sulmit.

    Zoti Abe është kryeministri që ka shërbyer më së gjati në Japoni. Ai dha dorëheqjen në gusht të vitit 2020, por mbeti aktiv në politikë dhe një zë me ndikim në Partinë Liberale Demokratike në pushtet.

    Edhe para të shtënave, zoti Abe pritej të ushtronte një ndikim të madh në zgjedhjet e së dielës për dhomën e lartë, rezultati i të cilave mund të jetë vendimtar jo vetëm për ekonominë e Japonisë, por edhe për qëndrimin e saj të ardhshëm në fushën e mbrojtjes.

    Zoti Abe ishte një nga zërat më të shquar i cili kërkonte që Japonia të rishikojë kushtetutën e saj pacifiste, e cila u hartua nga forcat aleate të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që pushtuan vendin pas Luftës së Dytë Botërore.

    Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha në një deklaratë se “jemi të tronditur dhe të pikëlluar me sulmin e dhunshëm kundër ish kryeministrit japonez Shinzo Abe. Ne po ndjekim nga afër raportet dhe i mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin japonez”.

    Rahm Emanuel, ambasadori amerikan në Japoni, tha se Shtetet e Bashkuara ishin “të pikëlluara dhe të tronditura” nga të shtënat. “Abe ka qenë një udhëheqës i shquar i Japonisë dhe aleat i palëkundur i SHBA-së”, shtoi ai.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po merr pjesë në samitin e G-20 në Indonezi, u shpreh thellësisht i shqetësuar për gjendjen e zotit Abe.

    “Ky është një moment shumë, shumë i trishtueshëm”, tha ai.

    Lajmi për të shtënat tronditi Japoninë, e cila ka disa nga ligjet më të rrepta të përdorimit të armëve në botë dhe sulmet e armatosura janë shumë të rralla./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!