×
  • Lajme
  • Botë

    Ish-kryeministrja tajlandeze Yingluck Shinawatra fiton shtetësi serbe

    Reporteri
    08 Gusht 2019 | 18:28

    Ish-kryeministrja e Tajlandës, Yingluck Shinawatra, e cila në vendin e saj është e dënuar me pesë vjet burgim, por gjendet ne arrati prej kohësh, ka fituar shtetësi serbe.


    Vendimi për pranimin e shtetësisë është nënshkruar nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, më 27 qershor, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare më 28 qershor.

    Ish-kryeministrja tailandeze ka pranuar shtetësinë serbe “sipas nenit 19 (1) dhe (3) të Ligjit për Shtetësi”.

    Ky nen parasheh, ndër të tjera edhe dhënien e shtetësisë në rastet kur është “me interes për Republikën e Serbisë”.

    Megjithatë, nuk është specifikuar se çfarë interesi ka pasur Qeveria e Serbisë për një veprim të tillë.

    Një gjykatë në Tajlandë e ka dënuar në mungesë Shinawatran me pesë vjet burgim, bazuar në akuzën për neglizhencë në drejtimin e një programi për subvencione të orizit.

    Ajo ka drejtuar Tajlandën në periudhën 2011-2014.

    Vëllai i ish-kryeministres tajlandeze, Thaksin Shinawatra po ashtu ka qenë në krye të një mandati qeveritar, që është rrëzuar nga ushtria, dhe tani jeton në mërgim për të shmangur vuajtjen e dënimit me burgim për korrupsion.

    Pavarësisht dënimit në vendin e tij, më 2009 Shinawatra ka marrë pasaportë si qytetar nderi i Malit të Zi.

    Ai ka qenë kryeministër i Tajlandës nga viti 2001 deri më 2006.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!