Izraeli dhe Hamas ranë dakord të zgjasin armëpushimin me dy ditë të tjera, duke hapur rrugën lirimit të një numri edhe më të madh pengjesh që mbahen nga grupi militant në Gazë. Në këmbim Izraeli do të lirojë të palestinëze të burgosur.
Njoftimi, i bërë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit Majid Al Ansary në një postim në rrjetin social X, erdhi në ditën e fundit të armëpushimit katër-ditor mes palëve, bazuar në një marrëveshje ekzistuese.
Ndërkohë ushtria izraelite njoftoi të hënën në mbrëmje se 11 pengje i ishin dorëzuar Kryqit të Kuq në Gazë dhe ishin nisur drejt territorit izrael.
Izraeli e kishte lënë të hapur mundësinë e zgjatjes së armëpushimit me një ditë për çdo 10 pengje të liruara nga Hamasi. Pas njoftimit nga Katari – një ndërmjetës kyç në konflikt, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin – Hamasi konfirmoi se kishte rënë dakord për një zgjatje dy-ditore” të armëpushimit nën të njëjtat kushte”.
Sipas marrëveshjes fillestare, pritej që në total të liroheshin 50 pengje izraelite dhe që Izraeli të lironte 150 të burgosur palestinezë.
Në tre ditët e para të armëpushimit, u liruan me dhjetëra persona të marrë peng, kryesisht gra dhe fëmijë. Sipas autoriteteve izraelite Hamasi mori peng rreth 240 persona më 7 tetor në ditën e sulmit të përgjakshëm, që u bë shkak për një fushatë ushtarake nga ajri dhe toka të Izraelit.
Ndërkohë në Izrael janë zhvilluar tubime ku pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për kthimin e pjesës tjetër të personave të marrë peng.
Deri tani janë liruar gjashtëdhjetë e dy pengje. Më parë, forcat izraelite liruan një person ndërsa dy të tjerë u gjetën të vdekur brenda Gazës.
Besohet se Hamasi dhe grupe të tjera militante vazhdojnë të mbajnë peng rreth 175 persona, mjaftueshëm për ta zgjatur armëpushimin për dy javë e gjysmë. Në mesin e tyre ka dhe disa ushtarë izraelitë, për lirimin e të cilëve ka të ngjarë që militantët të bëjnë kërkesa shumë më të mëdha.
Vetëm dje (të dielën), Hamasi liroi 17 pengje izraelite dhe të huaj, mes tyre një shtetase amerikane 4 vjeç, ndërsa Izraeli liroi 39 të burgosur palestinezë, shkëmbimi i tretë bazuar në marrëveshjen e armëpushimit./voa/