×
  • Lajme
  • Botë

    Izraeli kryen sulme vdekjeprurëse në Liban

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 22:01

    Libani tha se nga sulmet me dronë të kryera nga Izraeli më 10 qershor, janë vrarë një burrë dhe djali i tij në një fshat në jug të vendit.

    Ky është sulmi i fundit vdekjeprurës, pavarësisht një armëpushimi të arritur në nëntor. Izraeli tha se të vrarët ishin militantë.

    Ministria Libaneze e Shëndetësisë tha përmes një deklarate se “dronët e Izraelit armik kryen një sulm në fshatin Sheba, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur një tjetër”.

    Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban, të vrarët ishin babai dhe djali i tij, ndërkaq djali tjetër i viktimës mbeti i plagosur.

    Ushtria izraelite tha se ka vrarë një anëtar të Hezbollahut dhe një operativ të Brigadës Libaneze të Rezistencës, që është një grup i lidhur me grupet militante të mbështetura nga Irani.

    Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

    Në njoftimin e ushtrisë izraelite thuhet se dy burrat “posedonin armë të përdorura nga Hezbollahu për qëllime terroriste dhe për vëzhgimin e ushtarëve izraelitë në rajonin afër kufirit”.

    Izraeli ka bombarduar në mënyrë të vazhdueshme Libanin, pavarësisht armëpushimit të nëntorit, që i dha fund më shumë se një viti armiqësish me Hezbollahun, përfshirë edhe dy muaj lufte në shkallë të plotë.

    Javën e kaluar, Izraeli paralajmëroi se do të vazhdojë sulmet ajrore ndaj caqeve të Hezbollahut në mbarë Libanin.

    Qeveria libaneze e ka dënuar një sulm masiv izraelit në jug të Bejrutit javën e kaluar, në prag të festës myslimane të Kurban Bajramit.

    Hezbollahu tha se sulmi ajror izraelit rrafshoi nëntë ndërtesa banimi. Ushtria izraelite deklaroi se goditjet kishin në shënjestër fabrika nëntokësore ku prodhohen dronë.

    Presidenti libanez, Joseph Aoun, e dënoi sulmin, duke e cilësuar “një shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!