Zgjedhjet janë konsideruar si referendum për kryeministrin, Benjamin Netanjahu, i cili këtë radhë mban mbi shpinë akuzat për korrupsion dhe kritikat për menaxhimin e pandemisë.
Pandeminë 71-vjeçari po e përdor në avantazhin e vet, duke marrë përsipër sukseset e fushatës së vaksinimit që ka ecur më shpejt se kudo.
Në parlamentin me 120 vende, sondazhet i japin Netanjahut jo më shumë se 60 mandate.
Shumicën për qeverinë nuk e kanë të garantuar as partitë e opozitës.
“Mendoj se nëse Netanjahu fiton edhe këtë herë, nuk ka person tjetër më të mirë se ai. Nuk them se nuk duhet të ketë ndryshim, sepse ndryshimi duhet, por nuk mendoj se të tjerët do kishin bërë sa ai, po të marrim fushatën e vaksinimit,” tha Varda Kimchi, banor i Izraelit.
“Mendoj se zgjedhjet janë të panevojshme. Duhet formuar që tani një qeveri uniteti, që çdo person të ketë zërin e vet në parlament. Zgjedhjet po mbahen pa pasur një qeveri, dhe ky është shpërdorim i parasë publike,” tha Nadav.
Të martën, 6 milionë e gjysmë persona me të drejtë vote do i drejtohen kutive të votimit deri në orën 10 të mbrëmjes.
Mes mijëra qendrave të votimit janë hapur edhe 710 të tilla posaçërisht për pacientët me covid-19 të cilët jetojnë në kushte karantine ose për personat që kanë rënë në kontakt me ta.