×
  • Lajme
  • Botë

    Izraeli synon marrëdhënie diplomatike me Sirinë dhe Libanin

    Reporteri
    30 Qershor 2025 | 20:21

    Izraeli është i interesuar të vendosë formalisht marrëdhënie diplomatike me armiqtë e vet të vjetër, Sirinë dhe Libanin, por statusi i Rrafshnaltës së Golanit është i panegociueshëm, tha të hënën ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar.

    Udhëheqësit izraelitë argumentojnë se, meqë rivali i tyre, Irani, është dobësuar nga lufta 12-ditore e këtij muaji, vende të tjera të rajonit kanë tani mundësi për të lidhur marrëdhënie me Izraelin.

    Lindja e Mesme është ngufatur nga gati dy vjet luftë në Rripin e Gazës, gjatë së cilës Izraeli ka kryer gjithashtu sulme ajrore dhe operacione tokësore në Liban kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani, dhe nga rënia e ish-udhëheqësit sirian dhe aleatit të Iranit, Bashar al-Asad.

    Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Maroku u bënë shtetet e para arabe që lidhën marrëdhënie me Izraelin që nga Jordania në vitin 1994 dhe Egjipti në vitin 1979.

    Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin ishin tejet jopopullore në botën arabe.

    “Ne jemi të interesuar t’i shtojmë vendet si Siria dhe Libani, fqinjët tanë, në rrethin e paqes dhe normalizimit, duke ruajtur interesat jetike dhe të sigurisë së Izraelit”, tha Saar në një konferencë për shtyp në Jerusalem.

    “Golani do të mbetet pjesë e Shtetit të Izraelit”, shtoi ai.

    Izraeli e aneksoi Rrafshnaltën e Golanit në vitin 1981, pasi e kishte pushtuar atë nga Siria gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.

    Derisa shumica e bashkësisë ndërkombëtare e konsideron Golanin si tokë të pushtuar siriane, presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu sovranitetin izraelit mbi të gjatë mandatit të tij të parë.

    Pas rrëzimit të Assadit, forcat izraelite u zhvendosën më thellë në territorin sirian.

    Një zyrtar i lartë sirian, që foli në kushte anonimiteti, tha se Siria nuk do të heqë kurrë dorë nga Rrafshnalta e Golanit, duke e përshkruar atë si pjesë përbërëse të territorit sirian.

    Ai shtoi gjithashtu se përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin duhet të jenë pjesë e Nismës Arabe për Paqe nga viti 2002, dhe jo të ndjekin një rrugë të veçantë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!