×
  • Lajme
  • Botë / E fundit

    Izraeli thotë se është sulmuar me raketa nga Irani

    Reporteri
    01 Tetor 2024 | 18:50

    Ushtria izraelite tha më 1 tetor se Irani kishte nisur raketa në drejtim të Izraelit dhe se komanda e frontit të brendshëm të Izraelit ka ofruar udhëzime të ndihmës së parë për njerëzit në zona të ndryshme të vendit.

    Autoritetet në Izrael gjithashtu raportuan se sirena alarmi u lëshuan nëpër të gjithë Izraelin.

    Më herët, një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar se Irani po përgatitet për të nisur një sulm “të menjëhershëm” me raketa balistike ndaj Izraelit, duke shtuar se do të kishte “pasoja të rënda” nëse një gjë e tillë ndodh.

    Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po mbështesin aktivisht përgatitjet e Izraelit për mbrojtje. Anije dhe avionë amerikanë janë vendosur në rajon për ta ndihmuar Izraelin në rast të një sulmi.

    Pas paralajmërimeve për një sulm të tillë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, pati një bisedë me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin.

    “Ministri dhe sekretari diskutuam për gatishmërinë operacionale të Izraelit për të mbrojtur qytetarët dhe asetet ushtarake, si dhe për pozicionin e forcave amerikane në rajon”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

    Irani nisi një sulm të drejtpërdrejtë të paprecedentë ndaj Izraelit në prill të këtij viti, por pak nga raketat arritën objektivat e tyre. Shumica u rrëzuan nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja, ndërsa të tjerat duket se dështuan gjatë lëshimit ose u rrëzuan gjatë fluturimit.

    Ushtria izraelite tha të martën se kishte vrarë Muhammad Jaafar Qasir, një komandant përgjegjës për transferimin e armëve nga Irani dhe bashkëpunëtorët e tij te Hezbollahut.

    Ky zhvillim vjen pasi ushtria izraelite më 1 tetor paralajmëroi njerëzit të evakuonin dhjetëra vendbanime në kufirin me Libanin, disa orë pasi njoftoi se ishin duke kryer operacione “të kufizuara tokësore” kundër Hezbollahut./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!