Japonia sot ka nisur të jap dozat e para të vaksinave antiCovid për punonjësit shëndetësor, muaj pasi që ekonomitë tjera të mëdha botërore e bënë këtë.
Shumë po hamendësojnë nëse kjo fushatë e vaksinimit do të arrijë mjaftueshëm njerëz, dhe në kohë, për të shpëtuar Lojërat Olimpike në Tokio, që u shtynë për këtë verë shkaku i pandemisë.
Përkundër rritjes së numrit të infektuarve, Japonia ka shmangur efektet e rënda të pandemisë që kanë përjetuar shumë shtete tjera. Por, fakti i Lojërave Olimpike, dhe miliarda dollarë në pyetje nëse ato dështojnë, e kanë shtyrë Japoninë të fillojë me fushatën e vaksinimit. Zyrtarët japonezë janë po ashtu të vetëdijshëm se Kina, që ka pasur sukses në luftimin e virusit, do të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore vitin e ardhshëm, dhe kjo ka rritur dëshirën për të realizuar Lojërat Olimpike në Tokio, raporton AP.
Problemi i madh i vaksinimit është shqetësimi për mungesën e vaksinave dhe po ashtu hezitimi në mesin e shumë japonezëve për të marrë vaksinën, nga frika për efektet anësore.