Senatori i Ohios, J.D. Vance është kampion amerikan i izolacionizmit amerikan dhe kundërshtar i madh i ndihmës për Ukrainën.
Pjesa më e madhe e Evropës tashmë është në panik për mandatin e dytë të Donald Trumpit si president i SHBA-së, duke u brengosur se SHBA-ja do të ndërpresë ndihmën Ukrainën në rast se ai fiton në muajin nëntor. Pastaj Trumpi zgjodhi J.D. Vance si kandidat për zëvendëspresident.
“Me të madhe ka kundërshtuar përdorimin e fondeve për të ndihmuar Ukrainën dhe ka kritikuar atë që ai e sheh si mbivarësi të Evropës ndaj SHBA-së kur bëhet fjalë për investimet ushtarake”, shkruan revista.
Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, në kushte anonimiteti ka folur në lidhje me kandidaturën e J.D Vance. E ka cilësuar si “katastrofë” për Ukrainën – dhe në një farë mase edhe për BE-në, e cila e ka përkrahur Kievin që po e mbron veten kundër agresionit rus.
Vance luajti rol kryesor në përpjekjet për të ndalur ndihmën për Ukrainën në fillim të vitit në Senat, por këto përpjekje dështuan. Vance ishte fort i zëshëm në fillim të vitit. “Ishim në gjendje t’ia bëjmë të qartë Evropës dhe pjesës tjetër të botës se Amerika nuk mund të shkruajë çek të bardhë me patjetër”.
Në mendjet evropiane janë duke u peshuar edhe impulset proteksioniste të Vance që mund të bllokojnë marrëdhëniet tregtare të Evropës me SHBA-në. Senatori i Ohios është mbrojtës i madh i prodhimit amerikan dhe përkrahës i tarifave në import, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Në një intervistë me “Politicon” në muajin shkurt gjatë Konferencës së Sigurisë në Munich, Vance, ish-kritik i madh i Trumpit i shndërruar në evangjelist, shpalosi aryset e tij se përse Amerika nuk duhet të ndihmojë Ukrainën.
“Ne thjesht nuk kemi kapacitet prodhues për të ndihmuar luftën tokësore me patjetër në Evropën Lindore. Mendoj se kjo varet nga liderët e atjeshëm për të artikuluar këtë për popullsinë e tyre”, kishte thënë Vance. “Sa gjatë mund të shkojë? Sa pritet të kushtojë? Dhe më e rëndësishmja, si mendohet se do të prodhojmë ne armët e nevojshme për të ndihmuar ukrainasit?”, kishte thënë tani kandidati republikan për zëvendëspresident.
Konferenca vjetore e Sigurisë në Munich për kohë të gjatë ka qenë kampione e mbrojtjes transatlantike dhe e bashkëpunimit në siguri, me pjesëmarrës si të përndriturit e politikës së jashtme amerikane siç ishte John McCain dhe presidenti Joe Biden, të cilët fuqishëm besonin në “rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla” që qeverisi marrëdhëniet transatlantike në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore.
Mirëpo në paraqitjen e tij të parë në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë, Vance shmangu takimin mes presidentit Volodymyr Zelenskyy dhe ministrit të Jashtëm, Dmytro Kuleba dhe grupit të senatorëve amerikanë. “Nuk mendoj se do të mësoj diçka të re”, kishte thënë Vance për “Politicon”.
Stili trumpist i Vance për politikën e Jashtme “së pari Amerika”, zgjeroi kritikat ndaj Evropës dhe NATO-s. Në një fjalim në Senat gjatë muajit prill, ai kritikoi Evropën që nuk ka shpenzuar mjaftueshëm në mbrojtje.
“Për tre vjet evropianët na kanë thënë se Vladimir Putini është kërcënim ekzistencial për Evropën. Dhe për tre vjet, ata kanë dështuar të reagojnë nëse kjo do të ishte e vërtetë”, kishte thënë ai.
Zyrtari i njëjtë evropian ka vlerësuar se nëse Trump dhe Vance fitojnë në muajin nëntor, administrata e re me gjasë do t’i bëjë presion Evropës që të mbajë qëndrimin e përafërt amerikan karshi Kinës.
Deri më tani, BE-ja ka qenë më pak agresive ndaj Pekinit sesa SHBA-ja kur bëhet fjalë për tregtinë, ka vendosur më pak tarifa ndaj importit të automjeteve elektrike nga Kina sesa SHBA-ja për shembull.
Këto shenja janë shqetësuese për BE-në, e cila ka bërë përpjekje që të forcojë marrëdhëniet mes Brukselit dhe Washingtonit nën presidencën e Bidenit.
Ndërkaq, gjatë presidencës së tij, Trumpi vendosi taksa ndaj importit evropian të çelikut dhe aluminit dhe ka premtuar se do ta mbrojë përsëri industrinë amerikane nëse vjen në krye të Shtëpisë së Bardhë në muajin nëntor. /Reporteri.net/.