×
  • Lajme
  • Botë

    Kaos në Paris pak orë para nisjes së Lojërave Olimpike, linjat e trenit u goditën nga një ‘sulm masiv’

    Reporteri
    26 Korrik 2024 | 9:57

    Kompania franceze hekurudhore SNCF tha se rrjeti i saj hekurudhor me shpejtësi të lartë u sulmua për të paralizuar sistemin  e qarkullimit në ditën e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit.

    SNCF saktësoi se zjarret janë vënë për të dëmtuar infrastrukturën dhe objektet e hekurudhës. Një burim i afërt me hetimin i tha agjencisë së lajmeve AFP se sulmi përfshinte akte sabotimi.

    Disa linja  me shpejtësi të lartë në perëndim, veri dhe lindje të Parisit ishin objektivi i sulmit dhe radhë të gjata u krijuan në stacionin e trenit Montparnasse.

    “Zjarri ka dëmtuar instalimet dhe ekipet tona janë tashmë në vend për të kryer një vlerësim dhe për të filluar riparimet,” tha kompania hekurudhore SNCF, duke shtuar se ishte një “sulm masiv që synonte paralizimin e rrjetit hekurudhor”.

    Bëhet me dije se një numër i madh i trenave të shpejtësisë së lartë do të devijohen në “linjat konvencionale” për shkak të zjarrit dhe se qarkullimi pritet të normalizohet vetëm ditën e hënë.

    Ministri i Transportit, Patrice Vergriete dënoi ashpër “aktin kriminal”, i cili tha se do të ndikonte në udhëtimet dhe pushimet e planifikuara të njerëzve.

    Ministrja e Sportit, Amelie Udea Castera e përshkroi sulmin si “të tmerrshëm”, duke shtuar se ndikimi tek qytetarët dhe atletët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike aktualisht po vlerësohet.

    Sonte nga ora 19:30 do të hapen Lojërat e 33-ta Olimpike në Paris, ku ceremonia e hapjes do të mbahet për herë të parë në natyrë, me një numër rekord prej 45 mijë policë që do të kujdesen për sigurinë e pjesëmarrësve./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!