Përballë ritualit shumë sekret dhe kompleks të zgjedhjes së një pape të ri, kardinalët katolikë i janë drejtuar Hollywood-it për të mësuar se si mund të zhvillohet i gjithë procesi, shkruan “Politico“, përcjell Reporteri.net.
Sado e çuditshme të tingëllojë, disa nga 133 klerikët e lartë që do të hyjnë në Kapelën Sistine kur të fillojë konklava të mërkurën, kanë parë filmin me Ralph Fiennes ― me titullin mjaft domethënës “Conclave” ― për të marrë ndonjë ide.
“Disa e kanë parë në kinema,” pranoi për POLITICO një klerik i përfshirë në ngjarje.
Filmi, i drejtuar nga Edward Berger, ka në rolin kryesor aktorin anglez Ralph Fiennes si Kardinali Thomas Lawrence, dekani i Kolegjit të Kardinalëve. Si kujdestar i konklavës i caktuar nga Papa, ai duhet të përballet me klerikë konfliktualë, me daljen në skenë të dosjeve skandaloze që synojnë favoritët për papë dhe me shfaqjen e një kandidati të panjohur nga një dioqezë e largët.
E gjitha kjo mund të tingëllojë jashtëzakonisht e afërt me realitetin. Filmi shihet si jashtëzakonisht i saktë edhe nga vetë kardinalët, tha kleriku, duke e bërë atë një mjet kërkimi të vlefshëm, veçanërisht në një kohë kur shumë nga pjesëmarrësit në konklavë kanë pak përvojë me politikën dhe protokollet e Vatikanit.
Shumica e kardinalëve që kanë ardhur në Romë pas vdekjes së Papa Françeskut janë emëruar nga vetë Papa i ndjerë dhe nuk kanë marrë kurrë më parë pjesë në një konklavë. Ashtu si në filmin me Fiennes, shumë prej tyre vijnë nga dioqeza të vogla dhe më parë të anashkaluara nga e gjithë bota.
Mblidhet Konklava, sot tymi i parë për zgjedhjen e Papës së ri