Zëdhënësi i Komisionit Europian për çështjet e emigrimit, punëve të brendshme dhe nënshtetësisë, Adalbert Jahnz, tha në një konferencë shtypi se Komisioni u bën thirrje autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së që të lejojnë hyrjen e personave që janë të lidhur me një nënshtetas të BE-së edhe pa qenë të martuar zyrtarisht.
“Kemi vazhduar takimet e rregullta me autoritetet kufitare, dhe në takimin e fundit që patëm dje, ngritëm një shqetësim që prek shumë njerëz: përjashtimi i partnerëve të pamartuar, të lidhur me nënshtetas të BE-së, nga kufizimet për të udhëtuar në bllok”, tha Jahnz.
Kjo praktikë përdoret vetëm nga pak shtete të BE-së për momentin. Komisioni i nxit vendet anëtare që të lejojë kalimin e partnerëve të pamartuar që janë në gjendje ta faktojnë lidhjen e tyre me personin nënshtetas të BE-së.
“Situata e tanishme ligjore i mundëson vendet anëtare që t’i lejojnë partnerët e pamartuar, por me marrëdhënie të vërtetuara, që të futen në BE. I kemi nxituar vendet anëtare që ta përdorin këtë mundësi. Tani për tani, këtë e zbatojnë vetëm pak shtete”, tha zëdhënësi për emigrimin.
Presidenca gjermane e këshillit u ka kërkuar vendeve anëtare që të shprehin qëndrimin e tyre nëpërmjet një pyetësori, hap që ka marrë mbështetjen e Komisionit.
“Po mbështesim edhe presidencën gjermane të Këshillit, për të sqaruar edhe më tej këtë qasje në nivel europian. Si hap të parë, presidenca u ka kërkuar vendeve anëtare që të raportojnë qëndrimin e tyre nëpërmjet një pyetësori. Ndërkohë, u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të lejojnë pa vonesë kalimin e personave të lidhur me nënshtetas europianë”, përfundon Jahnz. /Reporteri.net/